“Shpikja e Këpucëve”, botohet libri i dytë në anglisht i poetit Ndrek Gjini

Gazeta Shqiptare

Nga Kujtim Morina – Nga shkrimtarët shqiptarë që shkruajnë në gjuhët e vendeve ku kanë emigruar pas fillimit të viteve ’90, mendoj se mund të shtohet edhe Ndrek Gjini. Këtë vit u botua libri i tij i dytë me poezi në anglisht, “The Invention of Shoes” (Shpikja e Këpucëve) me mbështetjen e Galway Academic Press në Irlandë. Libri i tij i parë në anglisht, “The Death of Night” (Vdekja e Natës) është botuar në vitin 2011 në fakt nga një shtëpi botuese shqiptare, EMAL, por që ka qarkulluar vazhdimisht tek kolegët anglishtfolës të autorit dhe një pjesë e lexuesve shqiptarë.
Poezia e botuar në anglisht e Ndrek Gjinit përbën një ridimensionim të poezisë që autori ka shkruar e botuar më parë në shqip në disa libra të mëparshëm. Ai ka një përvojë mbi 10 vjeçare si gazetar në Shqipëri, ka emigruar në Irlandë më 2002 ku ka ndjekur një bachelor për studimet e trashëgimisë e pasuar nga një Master për të Mësuarit Krijues. Veçanërisht në studimet e tij për Master që duhet të finalizoheshin me një botim në anglisht, autori thotë se ka përfituar mjaft nga redaktimi shumë herë i poezive në grup ku poezia e gjithsecilit qarkullonte dhe secili jepte një mendim jo vetëm për redaktimin e poezisë së vet por edhe të të tjerëve gjë që solli librin e tij të parë në anglisht “Vdekja e Natës”.

Poezia e Ndrek Gjinit është e kuruar me kujdes, ajo mbështetet në një gjendje metaforike që shtjellohet me një verb poetik të kursyer dhe me gjetje interesante. Në parathënien e librit të dytë, “Shpikja e Këpucëve”, prof.. Adrian Frazier, anëtar i Akademisë Mbretërore Irlandeze dhe ish drejtor i Programit të të Mësuarit Krijues në Universitetin Galluej shkruan, “Poezitë e Ndrek Gjinit janë ato të një poeti të vërtetë. Ai mundet, siç shkruan Uilliam Bllejk, ‘të shoh pafundësinë në një kokrrizë rëre’. Shumë momente të shkurtra të ndërgjegjësimit të tij çojnë në depërtime të shpejta metafizike”.

Shkrimtari Ndrek Gjini

Poezia e tij priret të zbulojë dhe të shpalosë elemente të humbura të traditës shqiptare dhe humanizmit që po i venit çdo ditë modernizmi, me një gjuhë të hollë e lakonike. Në një poezi të tij, autori shkruan “the invention of the shoe was an early one/ this damning invention/ with its tenderness/ seduced human feet so much/ as to make us not to feel the craving/ for fervent kisses of the earth/ the first human betrayal of land” (shpikja e këpucës ishte një e tillë e hershme/ shpikje e mallkuar/ me butësinë e saj/ e joshi këmbën njerëzore aq shumë/ sa të mos ta ndjente dëshirën e ethshme/për puthjet zjarrmuese të dheut/ tradhëtia e parë ndaj tokës). Poezia e Gjinit nis me një rrjedhë në dukje të qetë që vijon pastaj kërkimin dhe valëzimin në oqeanin e pafund të jetës me mjetet shprehëse të personifikimit, sinektodës dhe inversionit.

Autori ka shumë vite që mban edhe pozicionin e redaktorit menaxhues në revistën letrare “The Galëay Review” ku edhe ka mbështetur botimin e poezive dhe prozës së shkurtër të disa autorëve shqiptarë. Mendoj se me librin e dytë me poezi në anglisht, Ndrek Gjini arrin një kuotë të re në krijimtarinë e tij. Ky është një botim i përgatitur mirë që i ofron botës së lexuesit anglishtfolës ndjenjat, përjetimet dhe rravgimet e njeriut shqiptar në një botë që po dominohet gjithnjë e më shumë nga globalizmi, me një shprehje poetike të zgjedhur, emocionuese dhe domethënëse.