Shpëtim Nazarko shpërthen ndaj Fatos Nanos: – Pi konjak dhe i dërdëllis popullit. Turp!

– 16.02.21

Analisti Shpëtim Nazarko ka shpërthyer në sharje ndaj ish-kryeministrit Fatos Nano pas intervistës së këtij të fundit disa ditë më parë që solli shumë reagime.

Teksa flitej për politikën shqiptare në krahasim me atë të Kosovës, pas fitores së Albin Kurtit, Nazarko tha mbrëmjen e kaluar në emisionin “Real Story” në News24 se i ka ardhur ndot nga ai dhe se nuk i ka dhënë asgjë Shqipërisë, asnjë ide, duke e krahasuar me një dordolec politik.

Sokol Balla: Përmend ’97, aty i ke. Përmend ‘98, del Fatos Nano si zotëri jep mend, ndan kush është i miri, kush është i keqi.

Shpëtim Nazarko: E pashë atë dhe më erdhi ndot nga ai. Ekonomist që nuk i ka dhënë asgjë Shqipërisë, po nuk ka shkruar një artikull të vetëm dhe ka fytyrë të na japë mend atje si një dordolec politik, e turpshme. Më erdhi ndot, vetëm se kisha tim atë sëmurë se do t’i kthehesha dhe t’i thosha o budalla ke 30 vjet, na mbahesh dhe burrë i mençur, hale.

Ku i ke ata artikuj, nuk ke shkruar një artikull, ke 30 vjet, të ka bërë 5 herë kryeministër Shqipëria, s’ke thënë një llaf, s’ke folur një llaf. Vetëm rri atje para gaxhoit, pi konjak dhe i dërdëllis popullit tënd, se ç’ishte ky e, se ç’ka ky e, se ç’bën ky. T’i vijë turp që del në televizor, që zë dhe ekranet. E ka bërë 5 herë ky vend, ia ka shpërblyer ato 5 vjet burg me 5 herë të bërë kryeministër. S’ka thënë asnjë ide dhe vazhdon të mbajë prapë atë megalomanin. Ide ke apo jo? Po shkruaj një artikull. Shkruaj dhe budallallëk.

Fatos Nano

Gazeta Shqiptare