18 Prill 2026

Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për shpalljen “Pasuri kulturore e paluajtshme” të disa zonave të rëndësishme në vend, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për deklarimin “Pasuri kulturore e paluajtshme” të Parkut Arkeologjik Bylis dhe Klos, si dhe miratimin e zonifikimit e të planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij.

Po ashtu, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për deklarimin “Pasuri kulturore e paluajtshme” të zonës arkeologjike “A” e Bushatit, në bashkinë Vau i Dejës, si dhe miratoi zonifikimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e saj.

Gjithashtu edhe Parku Arkeologjik Orikum u vendos që të shpallet “Pasuri kulturore e paluajtshme”, sipas hartës së zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH).

Në mbledhjen e qeverisë u miratua edhe deklarimi pasuri kulturore e paluajtshme “Ansambël arkitektonik urban” të një zone në qytetin e Delvinës, sipas hartës dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi.