18 Prill 2026

Nga: tvklan.al

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një komunikim në rrjetet sociale me qytetarët, ku po flet për protestën e zhvilluar mbrëmjen e kaluar, më 17 prill, para Kryeministrisë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ngriti akuza nga forcave të Policisë së Shtetit, duke thënë se dhuna në protestë nisi prej tyre. Madje shtoi se ata përdorën një sprajt kundër arinjve, për të shpërndarë protestuesit.

“Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës, të cilën banditë me uniformë, narkokomisarë të tipit Skënder Balluku, Sokol Besëpreri, Enton Pallushi dhe Dashi i operacionales bënë gjithçka për ta shndërruar aët në një protestë të dhunshme.

Për këtë qëllim, në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spraji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut. Përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat. Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve.

Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë. Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe shtazërinë e treguar ndaj demonstruesve. Dënoj torturat e ushtruara ndaj tyre në komisariat. Edhe sot në komisariat ka demonstrues të torturuar me shenja të hapura tortura. Aulon Kalaja, pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja. Po kështu janë një seri demonstruesish paqësorë.”, tha Berisha, i cili mes të tjerash, i falenderoi protestuesit pjesëmarrës, duke thënë që me “kryengritjen e tyre paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit”.

Berisha mes të tjerash u shpreh se PD do të marrë parasysh çdo sugjerim të qytetarëve mbi skenarët që ata kanë ndërmend, për protestat e ardhshme.

“Mendoj se protesta jonë është jetike dhe vendimtare.”, shtoi ai.

Lidhur me strategjinë e protestave, Berisha pranoi se edhe mund të ndryshojë, por theksoi se protestat do të vazhdojnë “si rruga e vetme për t’u dëshmuar shqiptarëve se ne nuk pajtohemi kurrë as nuk trembemi, as nuk frikësohemi, as nuk mposhtemi dhe nuk pranojmë kurrë qëndrimin e kësaj organizate kriminale ndaj shqiptarëve”.

Lideri demokrat vijoi me akuzat ndaj forcave të rendit, duke thënë se raportimet se mes tyre kishte të plagosur nuk janë të vërteta, por se e gjitha ka qenë e trilluar.

“Për të maskuar aktet e tyre shtazarake, sollën policë gjoja të plagosur, por asnjëri prej tyre nuk kishte asnjë lloj plage dhe u bënë qesharakë para personelit shëndetësor të Spitalit të Traumës dhe spitaleve të tjera.”, u shpreh ai, duke u shprehur i palëkundur në planin për të vazhduar me protestat deri në largimin e qeverisë Rama.

Kryedemokrati u bëri thirrje të veçantë intelektualëve, që të ngrihen sëbashku kundër qeverisë.

“Është koha të të veprojmë së bashku, kundër një armiku, kundër një armiku të egër të qenies shqiptare. I bëj thirrje shoqërisë civile, që ka mbetur jashtë kontrollit të Edi Ramës, të bashkohet me ne. Shikoni çfarë qëndrimi mizor mbajtën ndaj Aulon Kalasë, një nga veprimtarët më aktivë të shoqërisë civile, i cili në qindra protesta kurrë nuk ka protestuar me dhunë.

Ka protestuar paqësisht dhe me dinjitet, dhe u hakmorën dje në mënyrë më të verbër vetëm për t’ju tremb ju, anëtarë të shoqatave të pakontrolluara prej tyre. Por le të bashkohemi ne. Ju bëj thirrje intelektualëve, dilni nga konformizmi juaj, se shkatërrimtar. Duhet t’i dilni zot vendit tuaj, i cili po shkatërrohet.”, tha Berisha, i cili të njëjtën thirrje ua drejtoi edhe fermerëve dhe pensionistëve.