21 Tetor 2022

Për disa mund të jetë befasi kur mësojnë se në qytetin e bukur të Venedikut (Venezia) në Itali u vendosën fisi ilir i Venetëve, rreth vitit 1200 para Krishtit.

Po aq interesant mund të jetë fakti se një shkollë shqipe (Scuola Albanesi) në kuptimin e një vëllazërie laike kushtuar punëve bamirëse u krijua në Venedik në vitin 1479 nga refugjatët shqiptarë të larguar nga turqit pas rënies së Shkodrës.

Madje, veneciaku i famshëm, artisti Viktor Karpaçi (Vittore Carpaccio), u mbajt për të pikturuar dekorimet e ndërtesës së tyre.

Ndonëse ndërtesa e shkollës, tashmë e pashënuar, ekziston ende si një godinë banimi, ajo ruan ende skulpturën e saj basreliev mbi hyrjen e përparme që përkujton pushtimet turke të Shkodrës në vitet 1474 dhe 1479.

Piktorë të dalluar që dolën nga ai komunitet shqiptar i Venedikut ishin Mark Bazaiti dhe Francesco Albani.

“Scuola di Santa Maria degli Albanesi ishte themeluar në vitin 1442 për të mirën e veçantë të komunitetit shqiptar. Pas rënies së Shkodrës nga turqit në 1479, një numër refugjatësh u larguan në Venecia, ku morën ndihmë nga Signoria (Qeveria e Republikës së Venedikut). Në vitin 1497 grupi vendosi të ndërtonte një shtëpi mbledhjesh pranë kishës së San Maurizios, duke vërejtur se ‘madje edhe armenët kanë bujtinë e tyre dhe ne nuk kemi asnjë’”.

Kur bëhej fjalë për dekorimin e ndërtesës, Carpaccio ishte artisti i zgjedhur.

Gjashtë skenat e tij nga Jeta e Virgjëreshës tregojnë, megjithatë, se porositë e tjera mund të kenë pasur prioritet në vëmendjen e tij.

Pikturat për shqiptarët janë të një cilësie të ulët në krahasim me ato të Scuola di San Giorgi dhe me siguri janë realizuar në një masë të madhe nga punishtja e tij.

Një dokument i vitit 1503 vuri në dukje se shumica e anëtarëve ishin artizanë dhe marinarë, duke treguar se burimet financiare të Scuola-s ishin shumë të pakta.

Carpaccio duhet të ketë qenë në kulmin e famës së tij gjatë viteve në të cilat ai pikturoi për dalmatët dhe shqiptarët.

Shkolla Arbërore në fillimët e saj i ishte kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, e quajtur edhe Nostra Signora di Scutari, si dhe Shën Galit.

Që në vitin 1447 selia e shkollës u transferua në famullinë San Maurizio, në zonën e Shën Markut, pjesë e qendrës së qytetit.

Godina e shkollës, që sot konsiderohet ndër atraksionet turistike të Venedikut, ishte ngritur midis kishës së Shën Mauricit dhe kumbonarit, gjë që mund të vërhet fare lehtë edhe sot.

Ajo kishte një ballinë të ngushtë me proporcion shumë të thellë, e cila mbështetej drejtpërsedrejti me kishën e Shën Mauricit.

Ballina e Shkollës, duke qenë në një linjë me kishën, shikonte sheshin Piovan.

Në mes të godinës, është gjendur oborri piktoresk bashkë me një pus në qendër dhe me një galeri druri, e cila rrethonte oborrin në tërësi me hardhi.

Nga oborri kishte tri dalje për në shesh. Shkolla zinte pjesën e pasme të godinës së gjatë.

Në katin përdhesë është gjendur e ashtuquajtura Albergo da basso (Bujtina e poshtme), ku është vendosur një altar guri pak i ndriçuar, gjë që dëshmohet edhe nga radhonjat e Statutit ose Amzës së shkollës.

Kur është fjala për Statutin, respektivisht Amzën e bashkëvëllezërisë arbrërore, është ruajtur vetëm kopja nga viti 1750, e cila sot ruhet në Arkivin Shtetëror të Venedikut dhe në Biblioteca Nazionale Maraciana.

Shkolla e Arbërore ishte aktive deri në 1780, bashkëvëllezëria shpërndahet në këtë vit dhe ndërtesa kalon në duart e korporatës dei Pistori.

Shumë orendi dhe pajisje të brendshme me vlera të mëdha do të shiteshin apo do të humbisnin. Në sallën e Shkollës edhe më tej do të ruhen 43 piktura. Gjashtë prej tyre janë të Karpaçit.

Gazeta Dita