‘Shko se po të pret Gysi’/ Arrestime të qytetarëve në Durrës se kundërshtuan Ramën për projektin TID

Edi Rama ne Durres
14 Shkurt 2026
Disa persona janë shoqëruar nga Policia e Durrësit gjatë protestës së zhvilluar jashtë ambienteve të Bashkise Durrës, në momentin kur Kryeministri Edi Rama po largohej pas takimit me banorët e prekur nga projekti TID.
Qytetarët e pritën me thirrjet “Rama ik” dhe tentuan t’i afrohen automjetit të tij për të shprehur kundërshtimin ndaj projektit, i cili parashikon prishjen e një numri banesash në zonën pranë amfiteatrit, por janë ndaluar nga policia, ku 5 prej tyre janë shoqëruar në komisariat.
Protesta erdhi pas takimit mbi dy orë mes Kryeministrit dhe përfaqësuesve të familjeve të prekura. Banorët deklaruan se projekti do të zbatohet pa rishikim dhe se atyre u janë paraqitur vetëm opsionet e kompensimit dhe strehimit.
Projekti TID është një nismë e qeverisë shqiptare që synon të kthejë zonën arkeologjike të qytetit në një park të madh urban.
Bashkia e Durrësit ka lajmëruar se më 16 shkurt duhet të largohen vullnetarisht nga banesa për të vijuar me realizimin e Projektit TID.
Një incident është regjistruar gjatë takimit të kryeministrit Edi Rama me banorët e prekur nga projekti TID, ku një qytetar i është drejtuar me fjalët: “Shko se po të pret Gysi”. Pas kësaj, kryeministri bën me gisht në drejtim të tij dhe menjëherë më pas policia ndërhyn duke e arrestuar qytetarin.
Në pamje nuk evidentohet asnjë akt dhune apo rrezik fizik nga ana e tij, ndërsa ndalimi duket të vijë vetëm pas komunikimit verbal.
Situata tensionohet më tej kur banorët e prekur nga projekti reagojnë me thirrje kundërshtuese, ndërsa disa prej tyre shoqërohen nga policia për shkak të kundërshtimit të projektit.
Gjatë shoqërimit ndërhyn deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, i cili, sipas pamjeve, shtyhet nga efektivët e policisë teksa përpiqet të mbrojë qytetarët.
