Shkarkimi i kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kushtetuesja rrëzon Ramën

– 05/06/21

Nga: mapo.al

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dhe shfuqizuar vendimin e Qeverisë për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila. Sipas vendimit të Kushtetueses, “është shkelur e drejta e Zef Hilës për t’u njoftuar dhe për t’u dëgjuar”.

Në vitin 2019, Zef Hila u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut pas djegies së KZAZ-së në Bushat, pak ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve vendore, pa opozitën. Ky vendim i qeverisë u konsiderua si hakmarrje nga kryetari i PD-së Lulzim Basha. Në vendin e tij u emërua Mark Babani i Partisë Socialiste.

Asokohe, Zef Hila u paraqit dhe në Polici duke shprehur se nuk ka pasur dijeni për çfarë do të ndodhte në KZAZ-në e Vaut të Dejës. “Dija vetëm që do të bëhet protestë paqësore. Nuk kam dijeni për asgjë tjetër”, pati deklaruar Hila.

Si u shkarkua Zef Hila
Ishte ministri i Brendshëm i atëhershëm, Sandër Lleshaj që kërkoi shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, të cilin ai e ngarkoi me përgjegjësinë e djegjes së shkollës “Ndre Mjeda” në fshatin Bushat, ambientet e së cilës po përdoreshin nga KZAZ-ja nr. 6 për zgjedhjet e 30 qershorit.

Sipas Lleshajt, personat që kryen sulmin ishin punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës. Pak pas kërkesës së tij, kryeministri Edi Rama bëri publik në Twitter se e kishte firmosur shkarkimin.

Hila u shpall u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Shkodrës për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Çfarë ndodh tani?
Me shfuqizimin e vendimit të shkarkimit, Zef Hila mund të vendosë të lërë mandatin e deputetit dhe të vazhdojë si kryebashkiak i Vaut të Dejës. Vendi i tij mund të plotësohet nga deputeti Bardh Spahia, i cili renditet i pari nga lista jofituese e PD-së në Shkodër.

Gjithashtu, Hila mund të vendosë të dorëhiqet nga posti i kryebashkiakut dhe të vazhdojë si deputet i PD-së.