Nga: Pëllumb Xhufi. Shkeputur nga libri: “Nga Paleologët te Muzakajt”.

Tiranë; 2009, Shtëpia Botuese 55, fq 278-279.

Ne afresket e Kishës së Shën Athanasit të Kosturit gjendet i pikturuar dhe Shën Gjergji i cili në mënyrë krejt të pazakontë për ikonografinë bizantine mban një mantel që ka për dizenjo shqiponjën dykrenore, me yll në mes. Kujtojmë që pas fitores mbi Vukashinin në Perister, Perandori Bizantin Joan V Paleologu i blatoi fitimtarit Andrea Muzakës, stemën perandorake, shqiponjën me krerë dhe me yll në mes. Të jetë shqiponja në mantelin e Shën Gjergjit një jehonë e këtij episodi dhe pra të jetë figura e Shën Gjergjit, hyut luftëtar aq të dashur e të adhuruar ndër shqiptarët, një shëmbëlltyrë e Despotit Andrea Muzaka? Do t’i përgjigjeshim pozitivisht kësaj pyetje edhe për faktin se që të njëjtën shqiponjë në mantelin e figurës së Shën Gjergjit në Kishën e Shën Athanasit në Kostur, e ndeshim në emblemën e Muzakajve , të egzekutuar në basoreliev në altarin e kishës së Shën Mërisë së Mezanjës edhe ajo një fondacion i Muzakajve të emigruar në Itali pas rënies së Krujës.