11 Mars 2023

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë më 11 mars se nuk do të ketë njohje as faktike dhe as de jure të pavarësisë së Kosovës.

Këtë deklaratë e tha Vuçiç gjatë një mitingu në qytetin Vranjë ku është parë edhe një pankartë ku shkruante “Serbia i realizon ëndrrat e veta”.

Madje, në pankartën e vendosur në podiumin ku ka folur presidenti serb, përkatësisht në prapavijë – shihej një hartë ku Kosova është paraqitur si pjesë e Serbisë.

“Nuk do të jem unë ai që do ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës,… Nuk ka dorëzim, ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës as de fakto as de jure, por ne duam paqe me shqiptarët, duam marrëdhënie të mira,” citohet të ketë thënë Vuçiç, shkruajnë mediat serbe

Ai vlerësoi se pas fillimit të luftës në Ukrainë, situata gjeopolitike në Evropë dhe në botë ndryshoi “më drastikisht dhe në mënyrë dramatike” sesa pas rënies së Murit të Berlinit, por shtoi se në Serbi ka nga ata që bëjnë sikur nuk shohin sa e vështirë është pozita e vendit.

Vuçiç po ashtu deklaroi se pas formimit të Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe në Kosovë qëndron nënshkrimi i BE-së dhe se një obligim i tillë ndoshta po përmbushet.

Më 27 shkurt, Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pajtuan në parim për Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur si plani franko-gjerman.

Megjithatë, më 9 mars, Vuçiç tha për televizionin “Happy” të Beogradit se Serbia nuk do të pajtohet dhe nuk do të heshtë për hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe as nuk do ta njohë Kosovën.

Vuçiç dhe Kurti do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Gazeta Sot