Albin Kurti

“Serbia është problemi”. Kurti mesazh Ramës: – Detyrë e shqiptarit të bëjë presion mbi të dhe jo mbi Kosovën.

14 Shtator 2021

“Është detyrë e shqiptarit të bëjë presion mbi Serbinë dhe jo mbi Kosovën”.

Ky është mesazhi që Albin Kurti i përcolli përmes mediave homologut të tij shqiptar Edi Rama pasi ky i fundit në konferencën e përbashkët me Merkel akuzoi Kosovën se përhap teori konspiracioni për Open Balkan.

Kurti: Duhet të theksuar se Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilën të gjithë ne duhet të angazhohemi pavarësisht pozitës që kemi dhe kudo që ndodhemi njohjen e Kosovës dhe jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë për mosnjohjen e saj. Çfarëdo lloj mirëkuptimi për Serbinë për mos njohjen e Kosovës i kushton Kosovës.

Kurti mbron Procesin e Berlinit dhe i kërkon BE të kushtëzojë fondet për rajonin: S’ka vend për alternativa

Kurti nënvizoi se duhet kuptuar njëherë e mirë që problemi është Serbia dhe jo Kosova.

Kurti: Këto po ndodhin për shkak të Serbisë dhe jo Kosovës. Serbia nuk dëshiron asnjë fjalë që sadopak aludon në shtetësinë e Kosovës, nuk mund të kthehemi para 2008 kur kemi shpallur pavarësinë. Serbia është problemi, jo shqiptarët dhe Kosovës, aman kuptojeni këtë gjë.

Kryeministri Kurti foli dhe për barrierat e Serbisë ndaj qytetarëve dhe mallrave  të Kosovës, duke paralajmëruar rikthimin e reciprocitetit.

Kurti: U kam shkruar letër të gjitha qeverive të BE dhe jo vetëm ku kam renditur 11 shkeljet që po bën Serbia me barriera sistematike dhe sporadike. Po pres përgjigjet e tyre. Reciprociteti do të vendoset për shkak se nuk ka ndryshe, nuk ka barazi pa reciprocitet. Me ministren tonë dhe doganat tona po përgatitemi ta zbatojmë me sukses. Asnjë qeveri e mëhershme nuk ka zbatuar reciprocitet, ne kur të zbatojmë reciprocitetin nuk guxojmë të dështojmë.

Reciprocitet Kurti kërkoi edhe te trajtimi i pakicave, duke nënvizuar se shqiptarët janë më të diskriminuarit në Ballkan.

Kurti: E kemi theksuar reciprocitetin te të drejtat e pakicave, e dini që në Ballkan ka disbalancë midis të drejtave të pakicave, serbët në Bosnje kanë Republikë, serbët në Kosovë kanë edhe të drejtë vetoje për shumë gjëra, ndërkohë që shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc ua pasivizojnë adresat dhe i çregjistrojnë. Spastrim etnik administrativ.

Kurti sqaroi edhe debatin për hapjen e arkivave, duke deklaruar se në Kosovë gjithçka është transparente dhe se këtë hap duhet ta ndërmarrë Beogradi.

Kurti: Çfarëdo që ka pas UÇK është në Arkivën e Shtetit të Kosovës, shtet më të mbikqyrur se Kosova në Ballkan nuk ka, vend më transparent nuk ka. Kur them që duhet të hapen arkivat, duhet të hapen në Beograd.

Nga OraNews