21 Dhjetor 2025

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me hetimet e SPAK, duke deklaruar se dosjet që lidhen me ministren dhe zv.kryeministren Belinda Balluku dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSH) përbëjnë prova që, sipas tij, fundosin qeverinë Rama.

“Balluku” dhe AKSH-i dy dosjet që fundosin qeverinë Rama! Sado pengesa ti vendosin politikisht, SPAK ka faktuar krimin qeveritar”, shkruan ai.

Salianji thekson se, pavarësisht pengesave politike, SPAK ka faktuar atë që opozita ka denoncuar prej kohësh, ndërsa sjell në vëmendje hetimet e kryera nga Komisioni Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS, ku, sipas tij, u evidentua rreziku real i vjedhjes, transferimit dhe manipulimit të të dhënave të TIMS, në favor të grupeve të krimit të organizuar.

“Deputetët e Partisë Socialiste u sollën jo si përfaqësues të interesit publik, por si pjesë e një mekanizmi mbrojtës, duke refuzuar me votë marrjen në pyetje të Ermal Beqirit dhe kompanisë Soft Solution, pavarësisht fakteve dhe indicieve të rënda të paraqitura në Komision”, shkruan ai.

Sipas Salianjit, “këto fakte konfirmojnë se refuzimi i mazhorancës për të lejuar hetimin parlamentar dhe dëshminë e drejtuesve te Soft Solution nuk ishte rastësi, por mbulim i qëllimshëm”.

“E vërteta po del. Pengimi i drejtësisë nuk shpëton askënd nga përgjegjësia!”, thekson ai.

Ervin Salianji: “Balluku” dhe AKSH-i dy dosjet që fundosin qeverinë Rama! Sado pengesa ti vendosin politikisht, SPAK ka faktuar krimin qeveritar!

Si Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS, kam denoncuar me forcë cënimin e sigurisë kombëtare, keqpërdorimin e të dhënave sensitive shtetërore dhe ndërhyrjen kriminale në një nga sistemet më kritike të sigurisë së vendit. Gjatë hetimit parlamentar, u evidentua rreziku real i vjedhjes, transferimit dhe manipulimit të të dhënave të TIMS, në favor të grupeve të krimit të organizuar.

Deputetët e Partisë Socialiste u sollën jo si përfaqësues të interesit publik, por si pjesë e një mekanizmi mbrojtës, duke refuzuar me votë marrjen në pyetje të Ermal Beqirit dhe kompanisë Soft Solution, pavarësisht fakteve dhe indicieve të rënda të paraqitura në Komision.

Sot, SPAK ka faktuar pikërisht atë që ne denoncuam publikisht dhe zyrtarisht gjatë hetimit parlamentar: se Ermal Beqiri e Soft Solution rezulton një kompani e përfshirë në veprimtari kriminale, që ka diktuar kritere tenderimi, ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj konkurrentëve, ka bashkëpunuar me grupe kriminale të strukturuara, përfshirë bandën Çopja, dhe në bashkëpunim me drejtues të AKSH ka dyfishuar çmime me milione euro dhe ka deformuar proceset publike.

Këto fakte konfirmojnë se refuzimi i mazhorancës për të lejuar hetimin parlamentar dhe dëshminë e drejtuesve te Soft Solution nuk ishte rastësi, por mbulim i qëllimshëm.

SPAK ka detyrimin ligjor dhe moral ta çojë deri në fund hetimin për ndërhyrjen në sistemin TIMS, sepse bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, për integritetin e drejtuesve të policisë së shtetit dhe për besimin e qytetarëve tek shteti.

Raporti dhe hetimi parlamentar nuk u përcollën në SPAK pas burgosjes sime politike, duke shtuar edhe një tjetër akt pengimi të së vërtetës.

E vërteta po del.

Pengimi i drejtësisë nuk shpëton askënd nga përgjegjësia!