“Ruaj traditën, festo shqip”, Irini Qirjako: – Jap shpirtin tim që rinia të mësojë lahutën. –

“Ruaj traditën, festo shqip” bëri bashkë përreth 2 orë artistë nga mbarë trevat shqiptare. Ata sollën për publikun kryeqytetas këngë dhe valle popullore. Ndërsa, bëjnë apel që të ruajnë traditën pa e deformuar atë.

Një koncert folklorik me këngë edhe valle popullore i organizuar nga një grup studentësh bëri bashkë përreth dy orë artistë të njohur në skenën e Universitetit të Arteve për të përcjellë mesazhin e fortë: “Ruaj traditën, festo shqip”. Këngë të njohura popullore shqiptare, këngë dhe valle që flasin për identitetin tonë kombëtar, nga Veriu në Jug, erdhën ëmbël nga artistet, si Irini Qirjako, Irma Libohova dhe Lirie Rasha. Artistet që prej një jete nuk i janë ndarë këngës popullore, bëjnë thirrje për ruajtjen e kësaj tradite

“Unë kam thënë edhe vazhdoj që të them se duhet që të ruajmë traditën ashtu siç është pa deformime, kjo i del për detyrë edhe institucioneve përkatëse, që në një orë mësimi të mësojnë si këndohet kënga shqipe, sepse ka filluar që të futet muzikë e huaj në tekstet tona, ndërsa brezat e rinj nuk e dinë se si është kënga në origjinal”, u shpreh Lirie Rasha.

Irini Qirjako

Irini Qirjako

“Unë e kam obligim dhe detyrim moral e shpirtëror, që t’i servir brezit të ri këtë thesar që kemi ne. Unë jap gjithë shpirtin tim, që brezat e rinj të mësojnë këtë gjë të mrekullueshme, që kemi ne si popull edhe si komb. Për të mësuar lahutën vitet e fundit vihet re nga të rinjtë. Më vjen mirë për këtë, sepse sidomos lahuta shfaq një interes edhe për të qenit puro shqiptar”, thotë Irini Qirjako.

Aktivitetit iu bashkuan edhe nxënësit e shkollave tetëvjeçare edhe të mesme nga mbarë vendi.

Gazeta Shqiptarja.com