
Rritet numri i ujqërve në Europë
26 Gusht 2025
Fenomen që vërehet dhe del në pah është edhe çiftimi i ujkut me qenin, çka përbën kërcënim për konservimin e specisë në zinxhirin e jetës dhe shtim të kafshëve hibride.
Shtohet numri i ujqërve në Evropë. Sipas statistikave të fundit, përllogaritet një rritje e tyre me rreth 60% gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, duke kaluar kështu nga 12 mijë në 22 mijë ekzemplarë. Vendet që numërojnë më shumë se 1 mijë janë Italia, Bullgaria, Greqia, Polonia, Spanja dhe Rumania.
Studimi është realizuar në 34 vende të kontinentit tonë dhe është publikuar në revistën shkencore Plos Transformation nga një grup kërkimor ndërkombëtar, me bashkëpunim të disa universiteteve.
Popullsia e kësaj kafshe ka regjistruar rritje në 19 prej 34 vendeve, ndërsa mbetet e qëndrueshme në 8 vende, ndër të cilat Shqipëria, Kroacia, Norvegjia, Portugalia, Luksemburgu dhe Rumania. Ndërsa në vendet e tjera fqinje në Ballkan, numri i tyre vijon të ulet, specifikisht në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinë.
Sipas të dhënave të mbledhura, mendohet se në Evropë ujqërit vrasin rreth 56 mijë kafshë shtëpiake në vit, mbi një numër kompleksiv prej 279 milionë krerë bagëti. Pavarësisht se ky fenomen ndryshon nga vendi në vend, si pasojë e shumë faktorëve, mesatarisht kafshët që ruajnë bagëtitë janë të rrezikuara rreth 0.02% për t’u vrarë nga ujku. Dhe dëmshpërblimet për blegtorët mbi këto humbje i kushtojnë vendeve evropiane rreth 17 milionë euro çdo vit. Humbja e bagëtive ka qenë një ndër arsyet kryesore të zhdukjes së kopeve të ujqërve, jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën, proces që nisi thellësisht në Mesjetë, kur në disa vende u vendos me ligj vrasja e tyre, dhe më pas intensifikimi u vërejt në vitet ’70, ku në shumë vende kjo kafshë u zhduk plotësisht.
Ndër vendet që kanë humbje më të mëdha në këtë aspekt janë Italia, Greqia, Spanja, Franca dhe Kroacia, kjo ndoshta për shkak të praktikave të ndryshme të rritjes, por edhe sistemeve të kompensimit. Ndërsa për sa i përket sulmeve ndaj njeriut, ato janë ekstremisht të rralla në Evropë, dhe rastet më të shpeshta të raportuara mbërrijnë nga Italia dhe Greqia. Një tjetër fenomen që vërehet dhe del në pah është edhe çiftimi i ujkut me qenin, çka përbën kërcënim për konservimin e specisë në zinxhirin e jetës dhe shtim të kafshëve hibride.
Në studim evidentohet sesi ujku mund të ketë edhe ndikim ekonomik pozitiv, pavarësisht se relativisht i vogël. Në disa vende statistikat tregojnë reduktim të incidenteve rrugore në zonat rurale, apo edhe pak ulje të dëmeve në plantacionet pyjore, përmes kontrollit që ushtrojnë mbi popullsitë e kafshëve të tjera si drerët e egër. Megjithatë, të dhënat nuk janë të mjaftueshme për të arritur në konkluzione të qarta për të gjitha vendet e Evropës.
Britmat e ujkut, përtej miteve dhe legjendave, shërbejnë kafshës për të mbledhur tufën familjare, për të transmetuar një rrezik apo për të komunikuar diçka në distanca të mëdha, duke qenë se hungërimat arrijnë të ndjehen deri në 130 km² distancë.
Në literaturën botërore, ky gjahtar zë një pozicion të veçantë, pasi përrallat e kanë etiketuar si kafshë të rrezikshme, që simbolizon shpesh kopracinë, shkatërrimin apo edhe shtrigërinë, veçanërisht në periudhën e Mesjetës, duke ngulitur në imagjinatën njerëzore edhe lidhjen me Hënën e Plotë dhe hungërimat e tij.
Gjurma e parë e shkruar në tekstet e lashta ku përmendet ujku është poema epike babilonase Gilgamesh, ku perëndesha Istar kthente të gjithë meshkujt me të cilët kishte fjetur në ujqër.