Rikthehet skema fiktive e rimbursimit me pacientët. Prokuroria vë nën hetim 3 farmaci. Hetohen dy persona. Ndërkohë që mbi 40 pacientë janë bërë pjesë e skemës dhe këto farmaci kanë përfituar miliona lekë për 3 muaj

18 Janar, 2019

Nga: Arsen Rusta.

Pa u mbushur dy vite nga mashtrimi me ilaçet e rimbursueshme e kryesisht ketosteril, rikthehet skema fiktive e rimbursimit me pacientët dhe farmacitë. Prokuroria e Tiranës dhe prokurori Ervin Karanxha ka vënë në hetim tre farmaci mes tyre Biplus, Medigreen dhe Geni&Lori të cilat në vitet e fundit rezultojnë se kanë përfitimet më të mëdha nga Drejtoria e Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor Tiranë.

Për këtë hetim janë vënë në pranga dhe dy shtetas përkatësisht Petrit Skura dhe Gazmend Aliaj përkatësisht 71 dhe 43 vjeç. Kanë qenë 40 pacientë fiktivë përfituesë në këtë skemë dhe me një kohëzgjatje prej tre muaj janë përfituar miliona lekë nga këto farmaci.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se skema ishte e tillë. Persona të cilët jetonin jashtë vendit e konfirmuar kjo edhe nga TIMS kanë marrë 2 deri në 5 herë në muaj recetë për ilaçe të rimbursueshme. Po ashtu nga recetat e lëshuara rezulton se 35 pacientë kishin ndërruar jetë por nga sistemi janë prodhuar receta të rimbursueshme për t’a duke bërë që buxheti i Shtetit të paguajë lekë.

Vlera e recetave të rimbursueshme dhe paratë që kanë përfituar farmacitë e përfshira në skemë arrijnë nga 25-30 mijë lekë duke bërë një total në vlerën e 12 milionë lekë dëm në muaj. Abuzimet me ilaçet e rimbursuara kanë qenë edhe më parë ku në një operacion Prokuroria e Tiranës arrestoi mbi 15 persona.