2 Nentor 2025

Portreti i parë kushtuar shkrimtarit Ismail Kadare është restauruar. Vepra është pjesë e fondit të Shtëpisë Studio Kadare dhe më parë për të ka nisur edhe një proces studimi. Në lidhje me restaurimin e veprës një aktivitet do të zhvillohet më 4 nëntor në Shtëpinë Studio Kadare. Anisa Ymeri drejtoreshë e Shtëpisë Studio Kadare shprehet se portreti ishte në gjendje shumë të dëmtuar dhe nuk ishte identifikuar autori i saj, pasi nuk ishte e nënshkruar.

“Në muajin janar 2025, nisi një proces studimi për identifikim e autorit të saj dhe sidomos restaurimit, pasi piktura ishte në prag të shkatërrimit të plotë”, shprehet Ymeri drejtoreshë e  Shtëpisë Studio Kadare. Në një njoftim për aktivitetin, ajo bën me dije se restaurimi u krye nga Olsi Laska, specialist i restaurimit të veprave të artit në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka identifikoi përfundimisht autorin e saj, duke saktësuar se ai është piktori Vilson Kilica dhe se është realizuar në periudhën e studimeve të tyre në Bashkimin Sovjetik dhe besohet se është realizuar në vitin 1958.  Ymeri sjell në vëmendje se për fondin e Shtëpisë Studio Kadare, një portret i shkrimtarit Ismail Kadare me autor piktorin Vilson Kilica, është me shumë rëndësi. “Por po aq me rëndësi është edhe për fondin e veprave të artit”, vijon më tej ajo.

Në këtë aktivitet që do të zhvillohet pas disa ditësh  në Shtëpinë e Kadaresë do të marrin pjesë restauratori Olsi Laska, Suzana Varvarica Kuka studiuese arti, studentë të pikturës së Universitetit të Arteve e më gjerë. Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936 dhe u nda nga jeta më 1 korrik 2024 në Tiranë. Veprat e Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 40 gjuhë të huaja. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.