Recepsionisti 26 vjeçar i skandalit të Unazës “në drejtim të paditur”. –

9 janar 2019

Avdjol Dobi, administratori i kompanisë shqiptare “DH-Albania”, e cila rezultoi fituese e dy tenderave 18 milionë dhe 12 milionë eure, për ndërtimin e mbikalimit tek sheshi “Shqiponja” dhe ndërtimin e linjës së tensionit të lartë nga Burreli në Peshkopi, rezulton i zhdukur.

Momentalisht prokuroria e Tiranës nuk ka asnjë dijeni se ku fshihet ky person, i cili është thirrur nga prokuroria tre herë dhe në asnjë rast, Dobi nuk i është përgjigjur, kërkesës së hetuesve për tu paraqitur dhe dëshmuar në prokurori.

Prokuroria thotë se ka urdhëruar policinë e Tiranës që ta shoqërojë forcërisht Dobin në polici. Por kontrolli policor nga policia e Tiranës është realizuar por pa rezultat. Me sa duket ngadalësia e prokurorisë së Tiranës për të kryer hetime të shpejta dhe vonesa e nxjerrjes së urdhërit të menjëhershëm për ndalimin e 26-vjeçarit Dobi, e ka ndihmuar këtë të fundit të fshihet.

Një burim pranë prokurorisë tha për “shqiptarja.com” se nga verifikimi në sistemin TIMS rezulton se Dobi nuk ka dalë nga Shqipëria,  – raporton kjo media.

Por ai mund ta jetë larguar pa u regjistruar në sistem.

Dobi është personi kryesor që duhet të arrestohet fillimisht për megaskandalin e Unazës dhe OST.

Sipas Zërit të Amerikës dhe agjencisë BIRN, pas recepsionistit 26 vjeçar fshihet biznesmeni Bashkim Ulaj, i afërt me familjen Berisha dhe fitues i disa tenderave në shuma të mëdha me administratën e Rilindjes.

l.h/ dita