11 Janar 2024

Shqipëria vijon të jetë një vend me probleme mjaft të mëdha sociale, ku një prej tyre është edhe lindshmëria. INSTAT sipas renditje që publikoi së fundmi tregon se lindshmëria në vendin tonë ka regjistruar përqindjen më të ulët që nga viti 2015.

Për këtë sociologia Marsi Simo, në një intervistë televizive, tregoi arsyet e këtij fenomeni, duke nënvizuar edhe pasojat që një shtet ka, ku shtoi më tej se siguria ekonomike që Shqipëria ofron, shkakton ulje të lindjeve, ku çiftet e reja nuk kanë me çfarë të mbulojnë shpenzimet.

“Janë një sërë faktorësh të cilët kanë ndikuar dhe do të ndikojnë edhe në vijim për sa i përket uljes së fertilitetit të lindjeve. Por, këto janë ato fenomene që kanë nisur shumë më herët, që ngjajnë me ato të vendeve të tjera.

Dhe ka disa veçori, e para ka të bëjë me konceptin e familjes, ndoshta dhe bota moderne nuk e qas më konceptin e një familjeje të madhe që kemi pasur dikur.

Një familje me shumë anëtarë, që ndihmonin njëri-tjetrin, dhe kur ranë të gjitha këto ide, ne filluam të mendojmë një familje ndryshe dhe pak e nga pak tani kemi ardhur në nivelin më të lartë.

Kjo edhe ndoshta duke mos pasur strategji konkrete, të cilat janë më të forta dhe më të prekshme, ne jemi në këto faza ku nuk arrijmë dot të riprodhojmë edhe vetveten, pra në fazën kur çifti të prodhojë të paktën 2 fëmijë.

Një tjetër shkak, është siguria ekonomike që është në vazhdimësi, pra nuk kemi dot një stabilitet ekonomik.

Dhe e ardhmja në 5 vjeçarin më të afërt nuk është bërë më e sigurt. Përveç pjesës ekonomike, është dhe roli i secilit në familjen e re shqiptare dhe kjo barrë që bie tek dy prindërit i ka shtyrë ata të mos e mendojnë shtimin e anëtarëve të familjes.

Gratë kanë filluar ta mendojnë moshën e martesës duke e shtyrë sa më gjatë në kohë, duke kërkuar një kohë më shumë për trajnime dhe kualifikime. Përveç kësaj gratë tashmë e dinë shumë mirë që nëse nuk kanë të ardhura të tyre bëhet më e vështirë jetesa në familje për ta.

Kjo përqindje e rënies së lindshmërisë është shqetësuese për ekonominë, është tronditëse për një shtet edhe për përfitimet e veta në fund të fundit”, u shpreh në analizën e saj sociologia Simo.

Gazeta Sot