Rama: – Porti i Durrësit “padiskutim do jetë edhe porti i Kosovës, bujrum të jetë edhe i Serbisë”

4 tetor 2020

Kreu i qeverisë Edi Rama i është përgjigjur akuzave të ministrit serb tëMbrojtjes Aleksandar Vulin, pas akuzave të këtij të fundit për Shqipërinë e Madhe.

Rama tha se lidhur me këto deklarata, që sipas tij shpresonte shumë të ishin meme, duhet të ketë një reagim të prerë nga ana e presidentit serb Vuçiç.

“Jam neveritur dje kur kam kuptuar që deklarata e këtij zotërisë nuk ishte meme. Sepse një anëtar qeverie që përpiqemi të ndërtojmë marrëdhënie të mira bashkëpunimi është një gojë kaq e shthurur dhe një mendje kaq e errët. Ekstremistët shqiptarë në Prishtinë më akuzojnë se po punoj për Serbinë e madhe, këta të tjerët më akuzojnë se dua të bëj Shqipërinë e madhe.

Presidenti i Serbisë duhet të shprehet për këtë çështje se është ministër i tij i mbrojtjes dhe nuk mund të tolerohen deklarata të tilla. Shengeni rajonal për mua është proces i mbrojtjes së interesave kombëtare dhe rajonale. Serbia nuk mund të hapi gojën për procesin e shpejtë që bëjmë marrëveshje ne Kosovën.

E rëndësishme është lëvizja e lirë e qytetarëve, Shengeni rajonal e heq kufirin me të gjithë.  Porti i Durrësit padiskutim do jetë edhe porti i Kosovës, bujrum të jetë edhe i Serbisë. Shpresoj të jetë magjarllëku i një individ që ka qenë nën ndikimin e produketeve helmuese ushtarake. Të vazhdojmë e të mos humbasim kohë për arritjen e marrëveshjeve që do u shërbejnë të gjithëve.

Nuk jam në këtë proces për ti bërë qejfin njërit apo tjetrit. Jam që shqipëria të udhëheqë një proces dialogu rajonal”, u shpreh Rama, që shtoi se UÇK-ja nuk është aspak vrasëse siç pretendohet nga ana e Serbisë.

Kujtojmë se dje Vulin përdori një gjuhë sulmuese ndaj Ramës, të cilit i kujtonte dhe çorapet e shqyera.

“Nëse Rama do të interesohej për paqen në rajon, ai nuk do të lavdëronte vrasësit nga të ashtuquajturit UÇK. U përpoq të përcaktonte kush do të qeveriste Malin e Zi.  Nëse ai do ta dinte se çfarë është të kesh fytyrë, Rama nuk do të përpiqej të paraqiste manastiret serbe në Kosovë dhe Metohi si trashëgimi të popullit të tij në librat shkollorë zyrtarë të shtypur nga qeveria e tij. “Shqiptarët” janë një popull që nxori Esat Pashë Toptanin, kurrë nuk do t’i identifikoj ata me Ramën. Vetëm në botën e cicërimave dhe imitimeve, Ramën,  e kujtojmë më shumë për çorapet e tij të shqyera sesa për idetë e shkëlqyera”, shkruante Vulin.

j.l./ dita