17 Shkurt 2023

Kryeministri i vendit Edi Rama ka folur ditën e sotme për situatën e tensionuar në Kuvend pasi opozita kërkon mocion me debat për skandalin ‘McGonigal’.

Rama gjatë fjalës në studion e Opinion u shpreh se do të shkojë në parlament kur ta shohë të arsyeshme.

“Do jem shumë i përqendruar në punët e përditshme dhe shumë më pak i angazhuar në politikën e llafeve të përditshme. Jam angazhuar me zell të madh edhe në atë parlament por besoj që pa dashjen time jam bërë edhe unë pjesë e një diçkaje që është një hall i madh dhe shqetësim për të gjithë publikun.

Ndihem edhe bashkëfajtor për këtë gjë. Për këtë arsye unë nuk kam më disponim që të hyj dhe të dal në politikën e përditshme si në një fushatë elektorale. Në ditët e tjera të jetës, javës dhe muajit angazhimi im do të jetë krejt i ndryshëm për të shlyer atë njollë bashkëfajësie që nuk e meritojnë shqiptarët. Unë nuk vendos si do të sillet opozita por si do të sillem vetë.

Në një moment të caktuar në parlament mund të frysh dhe bilbilin por kam parasysh një vijë të gjatë sjellje që është në nivelin më të ulët të edukatës së çdo familje në Shqipëri. Unë nuk jam mësues. Unë flas për qëndrimin tim. Unë do të shkoj në parlament kur e shoh unë të arsyeshme. Nuk flas me në qoftë se por me faktin e thjeshtë që më vjen turp që nuk kam mundur të ndikoj në ndryshimin e kësaj situate në parlament”, tha Rama.

Gazeta Shqiptare