Edi Rama

Rama: – Bashkimi Europian ka dështuar sërish të mbajë premtimin! Këta njërëz i fryjnë këtij absurditeti ose nuk…

23 qershor 2021

Një ditë pasi Bullgaria “bllokoi” negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për procesin e integrimit europian, kryeministri Edi Rama deklaroi se Bashkimi Europian ka dështuar sërish të mbajë premtimin e saj.

Në një konferencë të zhvilluar në Maqedoninë e Veriut, kreu i qeverisë tha se Shqipëria do të vijojë punën e saj për të rritur mirëqënien dhe ekonominë e vendit. Ai këmbëngul se e ardhmja e Shqipërisë është Europa mes familjes europiane.

“Rastësia e solli që në të njëjtën ditë kur duhet të flisnim për atë që nuk ndodhi në Bruksel të jemi këtu në një forum të rëndësishëm ekonomik. Besoj që kjo është një mundësi për thënë se çfarëdo ndodh ose jo në Bruksel, ne jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë me të gjitha forcat të rrisim ekonominë, mirëqënien, krenarinë dhe forcën e dinjitetit të popujve tanë.

Bashkimi Europian mund të caktojë detyra për integrimin, mund të caktojë afate për këto detyra, data por BE nuk cakton dot as vendndodhjen tonë në mes të Europës, as kulturën dhe identitetin tonë europian dhe as të ardhmen e popujve tanë në familjen europiane me standarde politike europiane. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj që në kohën e Gjergj Kastriotit dhe ka rikonfirmuar zgjedhjen e saj që në epokën e Rilindjes kombëtare. Për shqiptarët, dielli lind aty ku perëndon.

E ardhmja jonë është aty ku zoti na ka caktuar të kemi tokën tonë, në zemër të Europës. Për mua në këtë pikë kemi një dallim jo problematikë me Zoran, për mua nuk ka ndodhur asgjë tjetër veçse BE ka dështuar sërish të mbajë premtimin dhe t’i rrijë angazhimit dhe të jetë në qëndrimin e duhur. Progresi do të vazhdojë me të gjitha forcat sepse nuk është i imponuar nga jashtë por nga brenda nesh” – tha Rama.

Krahas procesit të integrimit në Bashkimin Europian, kryeministri Rama tha se ky proces nuk duhet të bëjë që shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i kthëjnë kurrizin njëra-tjetrës. Sipas tij, vijimi për procesin e Shengenit Ballkanik duhet të vazhdojë në mënyrë që ta kthejmë rajonin në një hapësirë të përbashkët ekonomike. Më tej kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se Shengeni Ballkanik nuk është një alternativë e Bashkimit Europian.

“Bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë me të gjitha forcat dhe me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që janë të gatshme të shtynë përpara pa rezerva sepse ky rajon është i rrethuar nga kufijtë e BE dhe nëse ne nuk e ndryshojmë dot mënyrën e funksionimit të BE në raport me ne, por ne duhet të ndryshojmë vijimësisht mënyrën e funksionimit tonë me njëri tjetrin.

Shkrirja e kufijve mes nesh për ta kthyer rajonin tonë në hapësirën e zbatimit të plotë të 4 lirive të Bashkimit Europian, lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve do vazhdojë pa u ndalur sepse ne jemi shumë të vegjël për të pasur ekonomi të forta duke qëndruar të ndarë nga njëri tjetri, dhe përndryshe ne jemi mjaftueshëm të mëdhenj nëse me njëri-tjetrin e kthejmë këtë në hapësirë të përbashkët ekonomike.

Shengeni rajonal siç e quaj unë, nuk është alternativë e Bashkimit Europian, por është domosdoshmëri për të ardhmen e ekonomive tona, e fëmijëve tanë dhe e paqes së sigurt në këtë zonë. Kush ngatërron Shengenin rajonal, pra zbatimin e 4 lirive të Bashkimit Europian me alternativë të vetë BE-së, ose nuk kupton, ose nuk do të kuptojë. Është absurde të mendosh se duke qenë se ne duam të jemi pjesë e BE-së, duhet të rrimë me kurriz nga njëri-tjetri në rajon.

Është absurde të mendosh që ne duam të integrohemi në BE, mallrat brenda rajonit duhet të presin në rradha të pafundme duke goditur organizmin e ekonomisë tonë. Është absurde që duke qenë se ne duam të jemi pjesë e BE-së, nuk duhet të merremi me lëvizjen e lirë të njerëzve brenda rajonit tonë. Është absurditet. Këta njerëz që i fryjnë këtij absurditeti nuk duan të kuptojnë ose nuk kuptojnë. Ata që nuk kuptojnë le të vazhdojmë të shpjegojmë, për ata që nuk duan të kuptojnë le t’i lëmë që të vazhdojnë të jetojnë në botën e tyre paralele me realitetin e ekonomive, shoqërive dhe hapësirës sonë të përbashkët që fatkeqësisht nuk është e përbashkët dhe duhet bërë e përbashkët” tha Rama.

Ditën e djeshme u zhvillua mbledhja Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së ku Bullgaria nuk është tërhequr nga veto për Maqedoninë e Veriut. Mes 27 vendeve anëtare të BE-së nuk ka pasur konsensus as për të ndarë Tiranën nga Shkupi, çka do të thotë se drita “jeshile” për negociatat nuk pritet të jepet në mbledhjen e liderëve të BE-së që do zhvillohet ditën e nesërme.

Gazeta Panorama