“Qeveri teknike”, protesta kombëtare e PD, opozita kërkon largimin e Edi Ramës

22 Dhjetor 2025
Nga: Top Channel
Pasditen e sotme po zhvillohet protesta kombëtare e thirrur nga PD-ja, teksa kreu i demokratëve Sali Berisha, ka dalë nga selia dhe është nisur drejt Kryeministrisë.
Që në nisje ka pasur hedhje shashkash dhe brohoritma, të cilat e shoqëruan Berishën gjatë gjithë rrugës.
Krah kreut të demokratëve qëndronte Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi.
Deputeti i PD Klevis Balliu ka mbajtur një fjalim nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë ku po mbahet protesta kombëtare e thirrur nga PD. “Kemi denoncuar për 12 vite sesi një narkoshtet ka vjedhur dhe i ka varfëruar shqiptarët. Sot nuk ka ilaçe nëpër spitale”, tha ai.
19:01 “Ne do të qëndrojmë në sheshe”/ Bardhi nga protesta e PD-së: Këtij pushteti i janë lëkundur themelet
“Forca juaj është kthyer në shpresën tonë të përbashkët, në shpresën e Shqipërisë. Prania juaj në këtë shesh madhështor do të thotë, që kjo shoqëri ka ende një zemër, guxim e çdo ndryshimi. Kam takuar shumë prej jush dhe revoltën tuaj për gjërat që po shkojnë keq, po në çdo takim që kam pasur me ju, kam marrë prej jush një mesazh, ju nuk dorëzoheni. Kam mësuar leksionin tim më të madh. Besimi dhe sakrifica do të na çojnë përpara, në largimin e Edi Ramës”, tha Gazment Bardhi.
18:54 “Institucione të kalbura”, Elda Hoti në protestën e demokratëve: Sot nuk kemi një qeveri
“Institucionet që duhet të na mbrojnë janë kthyer në institucione të kalbura. Të dashur qytetarë ne sot nuk kemi një qeveri. Sot është dita për qëndresë, të ngrihemi f[për fëmijët dhe prindërit tanë”, tha Elda Hoti.
18:43 Protesta kombëtare e PD-së, Këlliçi: Rama të japë dorëheqjen tani, si emergjencë kombëtare
“Qytetarëve që nuk e shitën dinjitetin, ju që denoncuat dhe qëndruat e folët atëhere kur ishte e rrezikshme, ja ku jemi dhe sa shumë që jemi. Mandati nuk është pronë, nuk është licencë për të vjedhur. Nëse e trajton vendin si plaçkë do të përgjigjet. Atë që do të vendosim sot do të jetë precedentë të ardhmen. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Ai ka kohë që nuk është më kryeministër. Kur reziston dhe nuk i nënshtrohet asnjë pazari, ja kur vjen përmbysja, më e paimagjinueshmja. Ata që na shantazhonin sot shantazhohen mes tyre. Dorëheqje Edi Rama, dorëheqje dorëheqje”, tha Belind Këlliçi.
18:24 Berisha me deputetët e PD dhe mbështetës drejt Kryeministrisë, hidhen shashka
Sali Berisha ka dalë nga selia dhe është drejtuar për të Kryeministria aty ku do të mbahet protesta kombëtare. Berisha ka dalë i shoqëruar nga deputetët e PD, duke përshkuar rrugën në këmbë, ndërsa ndiqen edhe nga mbështetës. Gjatë kohës që Berisha ecën drejt Kryeministrisë, dëgjohen edhe zhurma nga hedhja e kapsollave ose shashkave.
18:12 Protesta para Kryeministrisë, në shesh Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi
Ndërsa do duhej të kishte nisur protesta kombëtare e thirrur nga PD në ora 18:00, ende po grumbullohen qytetarë. Lideri i PD ndodhet në seli, por në shesh është parë vajza e tij dhe dhëndri, Argita Berisha dhe Jamarbër Malltezi.
17:40 Pak para protestës kombëtare, Berisha mbërrin në selinë e PD
Pak para protestës kombëtare, e cila do të nisë në ora 18:00, Sali Berisha ka mbërritur në selinë e PD. Në shkallët e selisë ai është pritur nga mbështetësit e tij, që ndodhen në seli, për t’u drejtuar më pas para Kryeministrisë aty ku do të mbahet protesta.Kjo është protesta kombëtare e thirrur nga Berisha, pas disa foltoreve që mbajtura në mënyrë të përjavshme jashtë zyrës së Edi Ramës.Kërkesat e tyre janë largimi i qeverisë nga pushteti.
