Pse TV flasin vetëm si harxhohen e jo si fitohen paratë, çfarë pune, çfarë rroge?

Nga: Ledian Droboniku

Pse TV flasin vetëm si gatuhet ushqimi e jo si sigurohet ushqimi, çfarë ushqimesh kancerogjene ha populli?

Pse në TV flitet më shumë për dashurinë ndaj qenve sesa si krijohet një familje apo si rritet një fëmijë?

Pse në TV flitet për bëmat e vipave e jo hallet e një punëtori, një fshatari, një emigranti?

Pse në TV pompohen antivlera globaliste e nuk flitet për trashëgimi kulturore kombëtare?

Pse në TV nuk flitet për vjedhjen që i bëhet qytetarit shqiptar nga bankat, kompanitë e telefonisë apo të karburantit?

Pse në TV nuk flitet për pjesëmarrje të popullit në demokraci por vetëm për parti e liderrra?

Por të gjitha këto pyetje lidhen me Kryepyetjen se përse duhet TV PUBLIK?

Sepse TV PUBLIK ndryshe nga ata privatë nuk ndjek llogjikën e biznesit dhe fitimit, ai nuk varet nga lobet ekonomike, nga reklamat e presioni lobist, por kontrollohet nga populli!

Shqipëria (ashtu si çdo institucion tjetër) ka formalisht TV PUBLIK por ai nuk kontrollohet nga publiku e nuk punon për publikun. Ai kontrollohet nga oligarkia pol-ekonomike njësoj si çdo tv tjetër privat. Ja pse nuk ka asnjë ndryshim në program duke ndjekur axhendën lekariste oligarkike.

Populli dhe intelektualët e ndershëm nuk duhet të mjaftohen duke konstatuar se “të gjitha tv njësoj janë” por të luftojnë që TV PUBLIK ti kthehet publikut e jo partive apo oligarkive. Vetëm një tv publik që kontrollohet nga populli mund të flasë për hallet e popullit, emancipimin kulturor e jo degradimin lekarist, historinë kombëtare e jo modën globale.

Ta bëjmë pra, që TVPUBLIK ti kthehet publikut! Të jetë zëri i halleve të njerëzve të thjeshtë, mediumi i kulturës dhe identitetit shqiptar!