Pronat e Lalzit, vrasja e gjyqtarit Konomi dhe atentati ndaj prokurorit Ndoj

4 Nëntor 2019

Shumë mund të mendojnë se titulli i këtij shkrimi nuk ka asnjë lidhje me atë se çfarë ndodhi të enjten. Por faktet e mëposhtme zbehin çdo dyshim të mundshëm.

Së pari, sepse atentati u bë pikërisht atëherë kur çështja e pronave të Lalzit ishte një proces nën hetim dhe madje pati rreth 20 të arrestuar, shumë prej të cilëve u lanë nën masën e sigurisë “arrest me burg”, të tjerë në “detyrim paraqitje” e pak prej tyre mundën të jenë të lirë, ndonëse me “arrest shtëpie”.

Së dyti, të gjitha detajet e atij atentati sipas hetimeve të deritanishme lidhen vetëm me prokurorin. Duke lënë mënjanë lëvizjen e prokurorit me një person me precedentë të theksuar kriminalë, hetuesit kanë në dorë të tjera prova që e lidhin atentatin me detyrën e prokurorit.

Së treti pronat e Lalzit e deri tek Kepi i Rodonit janë tashmë një çështje që po hetohet. Prokurori Arjan Ndoj ka firmosur dërgimin e të arrestuave në gjyq, me akuzën e abuzimeve.

Së katërti lidhet me dorëheqjen e kryetares së Gjykatës Joana Qeleshi. Për të u tha se arsyeja lidhej me vettingun, proces të cilit nuk iu nënshtrua. Por, burimet e grupit hetimor bëjnë të ditur faktin tjetër se ndoshta presionet, apo edhe kërcënimet ndaj saj pa u bërë publike janë tashmë një pistë, por jo e vetmja që po hetohet.

Së pesti, për pronat e Gjirit të Lalzit u ekzekutua vite më parë edhe gjyqtari Skerdilajd Konomi, një krim që për nga mënyra e ekzekutimit ishte tipik mafioz.

Së gjashti, prokurori ka një çështje të vjetër që lidhet me pronësinë e një lokali në Fushë Krujë. Bëhet fjalë për një konflikt mes prokurorit Ndoj dhe ish-shoferit të tij Edmond Voga. Nisur nga kjo, hetuesit dyshojnë se autorët e mundshëm të krimit mund të jenë nga ky qytet.

Policia dhe prokuroria e Krimeve të Rënda dyshojnë se objektiv i atentatit me armë të ndodhur pranë mbikalimit në Shkozet më 1 nëntor ka qenë Arjan Ndoj.

Nga verifikimet e bëra nga policia rezulton se automjeti luksoz, i cili ishte shënjestër e sulmit me breshëri përdorej nga prokurori, ndonëse nuk ishte regjistruar në emër të tij.

Verifikimi ka nxjerrë se siguracioni i automjetit figuronte të ishte paguar nga bashkëshortja e prokurorit Ndoj, çka ka shtuar dyshimin se objektiv i atentatit mund të ketë qenë prokurori.

Për të vërtetuar dyshimet e tyre pritet të bëhet një ekspertizë e dytë balistike. Ekspertiza pritet të hedhë dritë edhe për provat e sekuestruara si maska dhe fijet e flokëve të gjetura në makinë.

Edhe gjatë dy ditëve të fundit policia ka shoqëruar për të marrë në pyetje një numër të madh personash por pasur asnjë të arrestuar. Nga ana tjetër Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka nisur verifikimet për zinxhirin komandues në policinë e Durrësit, pasi zona ku ndodhi ngjarja në zonën e Shkozetit patrullohet thuajse 24 orë nga forcat e policisë.

Pikëpyetje të shumta janë ngritur nga grupi hetimor, pasi nga koha kur ndodhi atentati policia mbërriti 20 minuta më pas, ndërkohë më parë kishin mbërritur miqtë e të plagosurve të cilët janë filmuar duke nxjerrë të plagosurit nga makina.

©Copyright Gazeta SHQIP