Presidenti Meta në Shkodër: – Vetëm bashkëpunimi prefekturë-bashki-pushtet qëndror rrit efektivitetin e luftës kundër COVID19

07/04/2020

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta pas vizitës në Lezhë, këtë herë është ndalur në Shkodër. Pas takimit me kryebashkiaken Voltana Ademi, tha se në këtë sfidë me pandeminë e Covid-19 duhet bashkëpunim mes qytetarëve dhe institucioneve.

Nga ana tjetër, Presidenti Meta tha se masat kufizuese të vendosura nga qeveria duhet të zbatohen nga qytetarët pasi vetëm kështu mund të izolohet sa më shpejt përhapja e infeksionit. “Kufizimet janë një proces që po e ndjekin shumica e vendeve pa përjashtim, ne jemi fqinj të Italisë me të cilën kemi shkëmbimet më të mëdha njerëzore dhe ekonomike, në këtë drejtim duhet të jemi të duruar dhe duhet t’i respektojmë kufizimet”. Kreu i shtetit u shpreh se kjo situatë kalohet vetëm me bashkëpunimin e të gjitha autoriteteve”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti shprehet se bashkëpunimi mes gjithë institucioneve është garanci për përballimin e situatës. “Gjatë kësaj vizite sot në Shkodër pata kënaqësinë të takoj prefektin e qarkut, drejtorin e Shëndetit Publik, doktor Astrit Becin dhe kryetaren e nderuar të Bashkisë Shkodër, zonjën Voltana Ademi për t’u njohur më nga afër me përballimin e kësaj pandemie që ka prekur edhe qarkun e Shkodrës si të gjithë vendin tonë. Kam besim se përmes bashkëpunimit të shtabit të emergjencës së drejtuar nga prefekti, të kryetares dhe shtabit të saj por dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe qendror janë të gjitha mundësitë për ta menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë krizë, këtë pandemi, dhe padyshim që këtu është i rëndësishëm dhe bashkëpunimi i qytetarëve në respektimin e të gjitha kufizimeve të distancës sociale, të këshillave të autoriteteve shëndetësore në mënyrë që sa më shpejt jo vetëm të izolojmë të gjitha rastet dhe të ndihmojmë për t’u shëruar të gjithë të prekurit nga COVID-19 por edhe të garantojmë mposhtjen e kësaj pandemie sa më shpejt dhe rikthimin në normalitet të jetës sa më parë”,- tha kreu i shtetit.

Gazeta Koha e Jone