“Presidenti do e shpërndajë parlamentin nëse populli…”, regjisori Edmond Budina thirrje nga Durrësi qytetarëve: Mos kini frikë, ngrijeni kokën

22 maji 2020

Regjisori dhe aktori Edmond Budina nga Durrësi ku Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit zhvendosi sot protestën, i është referuar fjalës së kreut të shtetit Ilir Meta që tha se do e shpërndajë Parlamentin nëse e kërkon populli, për ti bërë thirrje qytetarëve që të ngrenë kokën e mos të kenë frikë.

“Presidenti e tha, meqenëse populli do të ngrihet i gjithi, Presidenti do e shpërndajë, prandaj mos kini frikë, ngrijeni kokën”, u shpreh Budina.

”Prandaj jemi këtu që të protestojmë dhe ta përmbysim këtë klikë të ndyrë antikombëtare. A e kuptoni, ata vranë kujtesën kombëtare, ndërtesë 80- vjeçare. Shikoni çfarë kanë bërë me Durrësin, e kanë betonizuar dhe shkatërruar kujtesën arkeologjike të këtij qyteti. Duhet të ishte si Roma por këta nuk kanë kujtesë kombëtare. Por këta shohin si të mbushin xhepat. Prandaj të ngrihemi të protestojmë, dhe ta largojmë këtë bandë që kanë uzurpuar vendin. Shikoni çbëhet në parlament. Ata bëjnë tallava në parlament. Tallen me popullin. Dërgojnë në teatrin kombëtar për të vrarë artistët, intelektualët. Sepse dërguan RENEA-n dhe filluan shembjen kur njerëzit ishin brenda. Ky parlament është i paligjshëm. Duhet të shpërndahet. Presidenti e tha, meqenëse populli do të ngrihet i gjithi, Presidenti do e shpërndajë, prandaj mos kini frikë, ngrijeni kokën.
Ata përpiqen me çdo mënyrë të përçajnë popullin.”- tha Budina.

Gazeta Panorama