Pjesëmarrje masive në protestën e popullore, 25 Janar 2026

25 Janar 2026
Pamjet nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” flasin vetë: një det njerëzish është grumbulluar përpara Kryeministrisë në protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike. Qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe rrethet i janë përgjigjur thirrjes së Sali Berishës për të dalë në shesh dhe për të kërkuar largimin e qeverisë Rama, në atë që opozita e cilëson si “ndëshkimin qytetar ndaj pushtetit të kapur nga korrupsioni dhe krimi”.

Në qendër të akuzave të opozitës qëndron zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, tashmë e marrë e pandehur nga drejtësia për afera të rënda korruptive. Megjithatë, Balluku vijon të mbrohet politikisht nga Edi Rama dhe të qëndrojë në detyrë, ndërkohë që, sipas opozitës, po shkatërrohen provat e hetimeve dhe manipulohen procedurat. “Qeveri që mbron të pandehurit nuk ka më të drejtë të qeverisë asnjë ditë”, ka deklaruar Berisha në fjalimin e tij para turmës.

Atmosfera në bulevard është e ngarkuar; thirrje kundër Ramës, pankarta që kërkojnë drejtësi dhe një protestë që po merr përmasat më të mëdha të viteve të fundit. Policia ndodhet në gatishmëri me 1350 efektivë të vendosur në perimetrin e Kryeministrisë. Deri më tani, protesta po zhvillohet pa incidente, por tensioni është i ndjeshëm.

