Pilulat ekstazi në formën e Trump: – Mund të jenë vd*kjeprurëse. Holanda lëshon “alarmin e kuq“.

30 Gusht 2026
Një institut shëndetësor në Holandë ka paralajmëruar për një lloj pilule ekstazi në formën e kokës së presidentit amerikan Donald Trump, pasi analizat kanë zbuluar përmbajtje të lartë të PMMA-së, një substancë e rrezikshme e ngjashme me MDMA-në.
Instituti Trimbos bëri thirrje që këto pilula të mos përdoren në asnjë rrethanë, duke paralajmëruar se PMMA mund të shkaktojë rritje të rrezikshme të temperaturës së trupit dhe, në raste të rënda, mund të jetë fatale.
Rreziku shtohet nga fakti se efektet e PMMA-së mund të shfaqen më vonë. Kjo mund t’i bëjë përdoruesit të mendojnë se pilula nuk ka vepruar dhe të marrin një dozë tjetër, duke rritur ndjeshëm rrezikun e mbidozimit.
Simptomat e helmimit mund të përfshijnë të përziera, rritje të rrahjeve të zemrës, temperaturë të lartë të trupit dhe konvulsione.
Pilulat e identifikuara kanë portretin e Trump në njërën anë, ndërsa në anën tjetër mbajnë mbishkrimet “Trump” dhe “NL”.
Deri tani, autoritetet holandeze nuk kanë raportuar raste vdekjesh apo komplikime të rënda shëndetësore të lidhura me këto pilula.
Një rast i ngjashëm ishte raportuar edhe në vitin 2017, kur policia gjermane sekuestroi rreth 5 mijë pilula ekstazi në formën e kokës së Trump.
