13 Tetor 2026

Më 13 tetor të vitit 1931 lindi shkrimtari dhe akademiku Dritëro Agolli (1931-2017).

Dritëro Agolli u formua në një mjedis ku tradita, gjuha dhe mençuria popullore u bënë pjesë e pandashme e botës së tij krijuese.

Vëllimi i tij i parë poetik “Në rrugë dola” (1958), dhe veprat që erdhën më pas: “Hapat e mia në asfalt” (1961), poezi; “Devoll, Devoll” (1964), poezi; “Komisari Memo” (1970), roman; “Njeriu me top” (1975), roman; “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973, roman, që është një nga veprat e tij më e njohura satirike etj, e shquan Dritëro Agollin për talentin, urtësinë dhe përkushtimin ndaj shqipes letrare.

Talenti i shkrimtarit u dëshmua më tej me veprat e periudhës së fundit të krijimtarisë së tij, nga të cilat mund të përmenden: “Arka e djallit” (1997), roman; “Kalorësi lakuriq” (1996), roman; “Fletorka e mesnatës” (1999), reflektime dhe prozë; “Kur dëgjon zërin e sime mëje” (2001); “Lilith” (2004), roman; “Udhëtari i vonuar” (2014), poezi, si dhe romani “Prita” (2014) dhe vëllimi poetik “Mosha e bardhë” (2016), ndër botimet e fundit të jetës së tij.

Përveç poezisë dhe prozës, Dritëro Agolli la një trashëgimi të pasur në publicistikë, ku spikasin shkrimet, esetë, reportazhet dhe refleksionet e tij mbi jetën shoqërore, kulturën dhe fatet e vendit. Ai dha kontribut të rëndësishëm edhe në dramaturgji dhe në artin kinematografik, duke shkruar drama dhe skenarë filmash që u bënë pjesë e fondit të kulturës shqiptare. Me gjuhën e tij të veçantë, humorin e hollë, urtësinë popullore dhe vëzhgimin e mprehtë të realitetit, Dritëro Agolli arriti të krijojë një vepër që kapërcen kufijtë e këtyre zhanreve letrare dhe mbetet një pasuri e vyer e kulturës kombëtare.

Gjatë një veprimtarie të gjatë letrare e publike, ai krijoi një opus të gjerë poetik e narrativ, duke u shndërruar në një nga zërat më përfaqësues të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të fillimit të shekullit XXI. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë dhe vazhdojnë të lexohen me interes nga breza të ndryshëm lexuesish. Dritëro Agolli ishte një personalitet me ndikim të gjerë në jetën kulturore të vendit, si poet, prozator, publicist dhe intelektual i angazhuar. Ai ka dhënë kontribute jo vetëm në zhvillimin e letërsisë shqiptare, si dhe në mbështetjen e brezave të rinj të krijuesve. Gjithashtu, ai luajti rol si deputet i Kuvendit Popullor në pasurimin e mendimit intelektual e qytetar. Vepra e tij shumëplanëshe, për më shumë se gjysmë shekulli ka qenë pjesë e pandashme e jetës shpirtërore të shqiptarëve.

Si anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ai dha një kontribut të çmuar në promovimin e vlerave të kulturës kombëtare dhe në afirmimin e studimeve letrare shqiptare. Emri dhe krijimtaria e Dritëro Agollit përbëjnë sot një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë shpirtërore e kulturore. Me veprën e tij ai mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Dritëroi u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë.

Në ditëlindjen e tij të 95-të janë përgatitur një sërë aktivitetesh mes të cilave inaugurimi i Muzeut “Dritëro Agolli”, në fshatin e lindjes Menkulas të Devollit.