PËRGJIMET: “Do sjell dhe 20 milionë euro, futi në fuçi 50 litërshe e groposi…”

Salvadore Aliu, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti nga SPAK, i konsideruar si kumbari i grupeve shqiptare të narkotrafikut, dyshohet të ketë pastruar në Shqipëri të paktën 30 milionë euro të siguruara nga aktivitetet kriminale.
Figura kyçe, duket se ka qenë i vëllai, Isa Aliu, i cili ka zyrtarisht 4 kompani të ndryshme të përdorura për investime në blerje pasurish të paluajtshme, vila, apartamente, troje, apo dhe në ndërtime, edhe hotelesh në zona turistike të vendit.
Salvadore, ashtu si dhe drejtuesit e tjera të grupeve kriminale përdorte platformën SKY për komunikimet e tij, ku ai njihej me emra të ndryshëm si Dala, Qero, Qerosi, Viktor, apo Albo Pelon. Nga zbardhja e këtyre komunikimeve, në një bisedë në gusht të vitit 2020, me vëllain Isa Aliu, ky i fundit e njofton se kishte në gjendje 6 milion euro. Dy javë më pas, Salvadore njofton Isain se do të marrë edhe 20 milionë euro të tjera. Në pritje që paratë të investohen për t’u pastruar, ai e udhëzon vëllanë, se si t’i fshehë paratë, duke i sugjeruar, ndër të tjera dhe futjen e tyre në fuçi 50 litërshe e më pas groposjen.
Hetimi që çoi në zbulimin dhe identifikimin e Salvadore Aliut, ka nisur në maj të vitit 2020, pas një referimi nga policia. Ai, dhe persona me lidhje familjare dyshohet të jenë përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Ekuadori, drejt vendeve europiane. Në rrjetin ku bënin pjesë dhe të huaj, Salvatore është identifikuar të ketë patur rolin e drejtuesit, duke mbikëqyrur çdo hallkë të trafikut që nga sigurimi i kokainës, te financimi I ngarkesave dhe furnizimi i grupeve të tjera.
Sipas burimeve nga SPAK, 50-vjeçari nga Elbasani është një personazh mbrapa të cilit ishin vënë shumë agjenci ligjzbatuese në Evropë, por që s’kanë mundur ta zbardhin deri tani rolin e tij.
Emra të tjerë të njohur, që nga Çopjat, te Eldi Dizdari apo Dritan Gjika, ishin nën varësinë e tij. Dosja hetimore e SPAK e lidh emrin e tij dhe me grupin e Jetmir Pepës.
