8 Shkurt 2023

Nga OraNews

“…në listën e abonentëve, figurojnë qindra prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët bëjnë propagandë për Partinë Socialiste dhe qeverinë”.

Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj Floriana Garo reagoi sërish lidhur me skandalin e aplikacionit “Aktivisti”.

Nga foltorja e selisë blu, Garo theksoi se në listën e abonentëve, figurojnë qindra prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët bëjnë propagandë për Partinë Socialiste dhe qeverinë.

“Raportimet mediatike e përshkruajnë aplikacionin Aktivisti si një mjet terrori psikologjik kundër administratës. Nëpunësit publikë, nëse nuk u bëjnë like dhe share aktiviteteve të kryeministrit dhe ministrave kërcënohen me largim nga puna, dhe nëse janë aktivë shpërblehen me pikë, që shërbejnë si bonus për promocione dhe deri në shpërblime financiare “cash”, sipas raportimeve të besueshme.

Partia Demokratike është kundër çdo detyrimi dhe përdorimi të administratës publike për punë partie. Sidomos kur këto punë kanë të bëjnë jo me shtetin por me pushtetin, dhe me kultin e individit të kryeministrit dhe ministrave.