Pas 70 vjetësh Shqipëria  do të ketë 0 banore, raporti i frikshëm i Eurostat!

6 Tetor 2019

Ndonëse pritshmëritë ishin që numri i azilantëve të vinte në rënie, për shkak se refuzimet e larta të dekurajonin aplikimet e reja, të dhënat nga Eurostat dhe EASO vazhdojnë të tregojnë një tendencë në rritje. Për shkak të politikave sociale, destinacioni kryesor i shqiptarëve kohët e fundit ka qenë Franca, ku janë bërë gati gjysma e aplikimeve në gjashtë muajt e parë të vitit 2019. Nëse të rinjtë shqiptarë do të ruajnë të njëjtin ritëm me largimet, do të duhen vetëm 70 vjet që Shqipëria të zbrazet. Si paraqitet situata në tremujorin e dytë në BE?

J.M, 17 vjeç, pjesë e një ekipi sportiv, u nis për në Francë në fillim të këtij viti si sportist, por vendosi që të mos kthehej më. Ai u drejtua tek një nga zyrat e emigracionit në Francë, ku paraqiti kërkesën për azil ekonomik. I favorizuar edhe prej faktit se ishte minoren, pak javë më parë, zyra franceze e emigracionit i ktheu një përgjigje pozitive për qëndrimin, ku përveç shtëpisë, i ofruan një vend pune dhe i mundësuan që të regjistrohej në një shkollë profesionale për kuzhinë.

Prej gati më shumë se dy vitesh, në Francë ndodhet edhe vëllai i tij së bashku me familjen, gruan edhe foshnjën që lindi gjatë qëndrimit të tyre si azilantë, i cili gjithashtu ka aplikuar për azil. Por kërkesa e tij vazhdon të refuzohet nga zyra e emigracionit. Për shkak të politikave tepër sociale, edhe kërkesa e E.M., nënë beqare tek të tridhjetat, e cila ka më pak se një vit e cila është vendosur si azilante në Francë u pranua në fillim të këtij viti, duke i mundësuar asaj strehim dhe përkujdesje ndaj fëmijës. Sot, shteti francez është kthyer në destinacionin kryesor të azilkërkuesve shqiptarë.

Vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit, rreth 4335 kërkesa të reja për azil janë regjistruar në shtetin francez, ndërsa sipas Eurostat numërohen në total mbi 5000 të tilla. Në total, janë shënuar në të gjithë BE-në 10,680 kërkesa për herë të parë për azil. Kjo do të thotë se, mesatarisht, që prej fillimit të vitit, çdo muaj janë larguar nga vendi mesatarisht 1780 shqiptarë. 40% e këtyre kërkesave kanë qenë të përqendruara në Francë, ku gjatë 6 muajve të parë të 2019 janë dorëzuar në total 4,435 kërkesa të reja, duke ruajtur tendencën e dy viteve të fundit.

Pas Francës, destinacioni i dytë me numrin më të lartë të azilkërkuesve shqiptarë është Mbretëria e Bashkuar, ku gjatë 6 muajve janë shënuar 1870 kërkesa, ndjekur nga Greqia me 1480 kërkesa për azil, Italia me 830. Ndërsa Gjermania është kthyer prej kohësh në një destinacion pak të preferuar për shqiptarët, pasi edhe shanset për të marrë një përgjigje pozitive janë shumë herë më të ulëta.

Për gjashtë muajt e parë të 2019-s, të dhënat nga Eurostat tregojnë se aplikuan vetëm 850 shqiptarë. Eurostat ka raportuar edhe kërkesat për azil që janë bërë në Gjermani për muajt korrik dhe gusht, ku rezulton se kanë aplikuar për të dy muajt së bashku edhe 300 shqiptarë të tjerë.

Rreth 1200 kërkesa të tjera në 6-mujorin e parë janë shpërndarë në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Në Irlandë u dorëzuan gjatë këtyre muajve 465 kërkesa për azil, në Suedi dhe në Belgjikë u dorëzuan përkatësisht nga 215 kërkesa, në Holandë u regjistruan 110 të tilla, në Spanjë 65, në Zvicër 60, në Norvegji 50, ndërsa në Luksemburg dhe Danimarkë, 30 kërkesa.

©Copyright Gazeta SHQIP