‘Pallatet e zogjve’ të epokës osmane të Turqisë

21 Dhjetor 2025
Shumë nga vizitorët e Stambollit nuk janë në dijeni se qyteti është shtëpia e shtëpizave të zogjve të gdhendura në gurë gjysmë mijëvjeçari të vjetra, të cilat pasqyrojnë nderimin e osmanëve për kafshët.
Në një truall në cep të qytetit të vjetër të Stambollit, ndodhet ajo që disa mund ta quajnë një ndërtesë e vogël: një shtëpi duplekse e ndërtuar me gurë me çati të pjerrëta dhe shumë dritare. Pjesë të mureve të saj të jashtme po shemben, por ka një veçori unike të bashkangjitur në muret e saj që e bën atë një shtëpi të përkryer për banorët e saj të shumtë – zogjtë e qytetit.
Shumë madhështore për t’u quajtur thjesht shtëpi zogjsh, dhjetëra kuş sarayları (“pallate zogjsh”) ose kuş köşkleri (“pavijone zogjsh”) të gdhendura me mjeshtëri në gurë në gjendje të ndryshme riparimi, janë vendosur nën strehën e xhamive, varreve dhe strukturave të tjera të epokës osmane në Stambollin qendror. Të ndërtuara kryesisht midis fillimit të shekujve 16 dhe 19, këto relike të dizenjuara në mënyrë të ndërlikuar të së kaluarës së Stambollit kalojnë kryesisht pa u vënë re nga gati 16 milionë banorët e qytetit, pavarësisht rëndësisë së tyre kulturore, historike, fetare dhe ekologjike.
“Çdo pallat zogjsh ka stilin e vet unik arkitektonik dhe bukurinë e detajuar, që përfaqëson gjithashtu një shfaqje të menduar mirë të dhembshurisë”, thotë Öykü Demir, një guidë turistike me qendër në Stamboll, i cili tregoi një interes të veçantë për strukturat, pasi i vuri re ato në muret e vendeve të ndryshme historike.
Bamirësia është një nga pesë shtyllat e Islamit, dhe në kohën osmane, kjo shtrihej edhe tek kafshët në të gjithë perandorinë. Fondacionet fetare financoheshin për të ushqyer kafshët endacake ose për të trajtuar krijesat e plagosura, dhe legenë të vegjël gdhendeshin në gurët e varrezave për të mbledhur ujë shiu që qentë, macet dhe zogjtë të pinin. Ndërsa kuajt, devetë dhe gomarët luanin role jetësore në transport, dhe qentë vlerësoheshin si roje të lagjes, zogjtë mbanin një vend të veçantë brenda perandorisë, sepse ata ishin të lidhur simbolikisht me shpirtin që shtrihej drejt qiellit.
“Në Stamboll, shpesh gjen shtëpiza zogjsh në muret e kiblës së xhamive (ato që janë të kthyera nga Meka), kështu që tingulli i zogjve shoqërohet me tingullin e lutjes, me zëra njerëzish dhe zëra zogjsh që fluturojnë lart në qiell”, thotë Christiane Gruber, një profesoreshë e historisë së artit islamik në Universitetin e Miçiganit.
Integrimi i shtëpizave të zogjve në ndërtimin e ndërtesave zyrtare, besohet se daton që nga Perandoria Selxhuke, një dinasti myslimane sunite që i parapriu osmanëve me rreth 200 vjet dhe u shtri në të gjithë Azinë Qendrore deri në Turqinë e sotme. Shembujt më të hershëm të njohur që fillojnë në shekullin e 13-të, ishin thjesht vrima të vogla të gdhendura në pjesët e larta të fasadës së një ndërtese për të lejuar zogj të vegjël si harabelat, dallëndyshet dhe zogu i egër të ndërtonin të pashqetësuara fole. Por në fillim të shekullit të 16-të gjatë sundimit osman, disa nga këto streha zogjsh kishin filluar të ngjanin me versione miniaturë të arkitekturës së kohës, shpesh të gdhendura nga materiale të mbetura, të përdorura për të ndërtuar strukturën kryesore.
Praktika arriti kulmin e saj krijues gjatë shekullit të 18-të, një periudhë prosperiteti në të cilën pati një theks të ri në hapësirën publike dhe kohën e lirë. Gjatë kësaj kohe, arti dhe arkitektura osmane u transformuan nën ndikimin e lëvizjeve baroke dhe rokoko nga Evropa. “Ky stil ishte në ngjitje globalisht. Mund ta gjeni në Goa, në Botën e Re, në Lindjen e Mesme”, thotë Gruber. “Në Turqi, Baroku osman quhej ‘stili i ri’, dhe theksi u vu në risi dhe kreativitet, në lloje të reja të punimeve me gurë në një stil të zbukuruar.”
Kjo epokë solli shpërthime të tilla të zbukurimeve arkitekturore, si zogu me çati të çelët dhe luksoz që banon në murin e Monedhës Perandorake pranë Pallatit Topkapı, i zbukuruar me një treshe çatish me kupola, shkallë miniaturë dhe rrjetë delikate në kangjellat e ballkoneve të tij. Shembuj të tjerë të shquar që janë ende në gjendje të mirë, përfshijnë dy shtëpiza zogjsh në murin e Xhamisë Yeni Valide në lagjen Üsküdar, të cilat vetë kanë formën e xhamive të vogla, secila e plotësuar me nga një palë minare.
Ndërsa pallatet e zogjve janë dokumentuar në të gjithë Turqinë, nga qyteti perëndimor i Edirnesë, një ish-kryeqytet osman, deri te qytetet e Vanit dhe Doğubeyazıt në lindjen e largët të vendit, Stambolli duket se ka qenë vitrina e tyre kryesore.
“Në atë kohë në Stamboll kishte shumë gdhendës gurësh, kështu që këto [shtëpi zogjsh] mund të kenë funksionuar si maketa ose modele, si një mënyrë për të eksperimentuar me formën, megjithëse jo të gjitha dizajnet e tyre do të kishin qenë të zbatueshme në një shkallë reale”, thotë Gruber. “Si një mundësi për gdhendësit e gurëve për të shfaqur mjeshtërinë dhe aftësitë e tyre, ato në një farë mënyre vepronin edhe si kartëvizita.”
Sado të këndshme vizualisht që ishin këto ndërtime kompakte, ato ishin gjithashtu shumë praktike, duke i inkurajuar zogjtë të vendoseshin dhe të bënin fole në këto zona të caktuara, në vend të vendeve ku aktivitetet e tyre mund të dëmtonin ndërtesat. Dhe sipas ekologut dhe vëzhguesit të zogjve Kerem Ali Boyla, ato ishin gjithashtu habitate shumë funksionale për shpendët.
“Mendoj se njerëzit që i bënë ato menduan vërtet për to, për madhësinë e hapjes dhe nëse ajo ishte e kthyer nga jugu apo nga veriu, gjë që është e rëndësishme për sa i përket kontrollit të nxehtësisë dhe mbrojtjes nga era”, thotë Boyla. “Shtëpitë e zogjve që shumë njerëz ndërtojnë sot kanë hyrje shumë të mëdha – ata nuk e kuptojnë se sa të vegjël janë zogjtë nën pendët e tyre – që do të thotë se zogj më të mëdhenj si sorrat, mund të bastisin foletë.”
Pavarësisht se është një megaqytet me popullsi të dendur, Stambolli është ende i pasur me shpendë, me gati 300 specie të ndryshme të vërejtura në qytet nga vëzhguesit e zogjve vetëm këtë vit. Ai ndodhet përgjatë rrugëve kryesore migratore midis Evropës dhe Afrikës, duke sjellë formacione lejlekësh të bardhë, që rrëshqasin mbi Bosfor dhe zogjsh të vegjël që fluturojnë nëpër qiellin mbi Sheshin Taksim. Një koloni çafkash gri ngre fole në pemët e larta të rrapit të Parkut Gylhane, dhe një duzinë speciesh të ndryshme pulëbardhash fluturojnë në gjurmët e trageteve të qytetit.
Gruber spekulon se shtëpizat osmane të zogjve mund të kenë qenë një formë “shlyerjeje” për pastrimin e habitateve pyjore ose kënetore për të ndërtuar xhami, ura dhe ndërtesa të tjera në atë kohë. Por në një epokë moderne ku presioni i zhvillimit mbi natyrën është më i fortë se kurrë, këto vende të vjetra të shenjta po zhduken së bashku me hapësirën e hapur.
“Pallatet e zogjve në përgjithësi ndërtoheshin prej guri të butë küfeki [një lloj guri gëlqeror vendas], i cili konsumohet me kalimin e viteve për shkak të faktorëve të tillë si shiu dhe era”, thotë Demir. Shumë prej tyre tani janë aq të gërryer saqë kanë mbetur vetëm një gjurmë muresh. Të tjerat janë të fshehura pas gardheve ose ndërtimeve të mëvonshme, dhe vetëm pak të reja janë ndërtuar që nga shekulli i 19-të, ndoshta për shkak të një rënieje paralele të artizanatit dhe ideve në zhvillim rreth jetës së egër urbanem që erdhën së bashku me industrializimin dhe modernizimin.
“Këto shtëpiza zogjsh përfaqësojnë një traditë shumë të vjetër mikpritjeje dhe një ide… që thotë se qyteti nuk u përket vetëm njerëzve”, thotë Gruber. “Ato zbulojnë një mënyrë të ndryshme se si njerëzit lidheshin me mjedisin në të kaluarënm dhe mund të na japin një plan mbi mënyrat për ta pajtuar këtë marrëdhënie në të ardhmen.”/ BBC.

