Paguhen për të na mbrojtur, por ndaj tyre duhet të mbrohemi/ Si punonjësit e Policisë po shndërrohen në ‘kokat’ e krimit dhe trafikut të drogës

– 31.01.22

Nga: Ervis Hasan

Në vitet e fundit, shifrat kanë treguar përfshirjen e policëve në trafikun dhe shpërndarjen e drogës, por edhe në vepra të tjera të rënda penale.

Janë kapur në operacione pjesëtarë të forcave speciale, patrullës dhe policisë kriminale.

Përfshirja e policëve në aktivitete kriminale është një fenomen i përhershëm, por ajo që vihet re është fakti se në rastet e zbuluara, policët jo thjesht marrin ryshfet, por janë vetë protagonistë të ngjarjeve kriminale.

Ky fenomen është konstatuar edhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare, të cilat kanë bërë publike faktin se si strukturat të caktuara të policisë janë të përfshira në krim dhe trafik droge apo janë pjesë e grupeve kriminale duke njoftuar ata gjatë hetimit.

Më poshtë po ju rendisim disa nga rastet kur punonjës të Policisë së Shtetit, jo vetëm mbyllin sytë e kyçin gojën përpara krimit, por bëhen edhe vetë pjesë e tyre:

Gjatë viteve 2020-2021, SHÇBA ka bërë të mundur goditjen e disa punonjësve të Policisë, të përfshirë në këto veprimtari kriminale. Në shkurt të vitit 2020, janë organizuar dy operacione, ku në pranga kanë rënë punonjës policie, të cilët kishin favorizuar kultivimin e kanabisit, ndërtimet pa leje, kishin manipuluar apo fshehur ngjarje kriminale, kishin penguar zbulimin e fakteve dhe të vërtetës apo nuk kishin raportuar fare këto ngjarje. Madje kishte prej tyre që edhe ishin autorë të plagosjes me dashje.

Arrestimi i efektivit të ‘Shqiponjave’ që shpërndante drogë në lokalet e Sarandës

Lavdosh Metaj – Rasti më flagrant ka qenë ai i 13 qershorit 2020, kur në pranga ra punonjësi i ekipit ‘Shqiponja’ në Sarandë, i cili kryente në mënyrë sistematike shpërndarje të narkotikëve në ambiente të populluara argëtimi me muzikë në qytetin bregdetar.

Efektivi i Shqiponjave në Sarandë Lavdosh Metaj 38 vjeç është arrestuar si i dyshuar për trafik lëndësh narkotike. Gjatë kontrollit, 38-vjeçarit i janë gjetur me vete 11 doza kokainë, ndërsa në shtëpi iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej 165 grame lëndë e dyshuar si narkotike. Këtë veprimtari të kundraligjshme, sipas SHÇBA efektivi e kryente gjatë kohës së shërbimit dhe jashtë saj.

Në rrjetin social të efektivit vihet re se ai bën një jetë luksoze mes brandeve të veshjeve dhe jetës së luksit. Metaj 38 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Sarandë akuzohet për ‘Prodhim dhe shitje narkotikësh’.

Pezullohet polici i anti-drogës në Durrës, shpërndante drogë në qytet

Edvin Sinani – Kujtojmë se ky ishte rasti i dytë brenda disa javësh kur një efektiv policie shfrytëzon uniformën për të shpërndarë lëndë narkotike. Edhe në Durrës është pezulluar nga detyra polici i anti-drogës në Durrës Edvin Sinani pasi shpërndante drogë përmes një grupi të ngritur prej tij.

Anëtarët e grupit të ngritur nga polici i pezulluar, i jepnin informacione për shpërndarës të tjerë, me qëllim goditjen e tyre nga ana e tij. Efektivi i vishte shpërndarësit e tij me uniforma policie për të bërë të mundur kapjen e shpërndarësve të tjerë të lëndëve narkotike. Pasi i kapte, më pas i lironte duke mos ushtruar ndjekje penale ndaj tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi ”Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” ndaj efektivit. Për bashkëpunëtorët e tij, hetimet vijojnë. Skema e ngritur prej tij u zbulua pas një hetimi disa mujor me metoda speciale të hetimit u dokumentua me prova ligjore nga veprimtaria e kundraligjshme. Edvin Sinani kryente funksionin e specialistit për narkotikët në Drejtorinë Vendore Policisë Durrës.

Arrestohet polici në Elbasan, i kërkoi 7 mijë euro një qytetari që të mos e arrestonte

Sokol Fana – Në muajin nëntor të vitit të kaluar u vu në pranga oficeri i njësisë FAST, Sokol Fana, 26 vjeç i cili ka kërkuar para nga një shtetasi me iniciale K.H.

Mësohet se Fana kishte mashtruar shtetasin K.H duke i thënë se nëse donte që të mos arrestohej nga njësia e tij FAST për llogari të drejtësisë italiane duhet ti paguante Fanës 7 mijë euro, i cili pas verifikimeve rezulton se nuk ka asnjë problem me drejtësinë italiane.

Procedohen tre punonjës policie në Korçë, ushtronin aktivitetin e lojërave të fatit:

Aksioni më i fundit ku të përfshirë ishin punonjës policie u zhvillua përpara dy ditësh, kur Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe ankesave në Policinë e Shtetit ka ndërmarrë një aksion kundër organizimit të lojërave të fatit në Korçë, ku u arrestua një person, u shpallën në kërkim katër të tjerë, ndërsa nisi procedimi edhe për tre efektivë policie.

Punonjësit e policisë S.H., 63 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Devoll; P.A., 62 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Korçë, Bashkia Pustec; A.P., 61 vjeç, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Korçë, janë proceduar penalisht për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në lidhje me një lejimin e një bar kafeje për ushtrimin e lojërave të fatit.

Ata u akuzuan se ishin pjesë e kësaj veprimtarie kriminale, të cilën jo vetëm që nuk e goditën, por ishin bërë edhe drejtues të saj.

Mervjol Bilo – Një ngjarje tronditëse u regjistrua në zonën e Bllokut në kryeqytet në muajin tetor të vitit 2018, ku u përfshi edhe një nga pjesëtarët e Forcave Komando. Bëhet fjalë për Mervjol Bilon, i cili gjatë një sherri në një nga lokalet e zonës ekzekutoi Fabiol Gaxhën.

Bilo ishte një nga komandot më të përgatitur të Zall-herrit, me një eksperiencë të gjatë në luftime. Asokohe konfirmohej se Bilo nuk e ka pasur armen e shërbimit me vete në kohen e ngjarjes, por ka dyshime se ai ka pasur një armë tjetër, që e përdori për ekzekutimin e Fabiol Gaxhës.

Një komando profesionist, baba i dy fëmijëve dhe pa precedentë penalë, Mervjol Bilo u largua menjëherë pas ngjarjes dhe ndodhet ende në arrati. Truproja e Elvana Gjatës ka qenë bashkë me grupin e Ervin Matajt kur është gjendur mes plumbave.

Mevjol Bilo është vlerësuar me nota maksimale si nga shteti shqiptar dhe nga aleatet si dhe nga SHBA-ja për një mision sekret në vitin 1998 në zonën mes Malit të Zi dhe Kosovës për marrjen e CD-ve të avionit vëzhgues të rënë në këtë zonë malore. Ai  është njeri nga 30 themeluesit e Forcave Speciale Shqiptare i cili ka marr pjesë në misione paqëruajtëse në Republikën e Chadit në Afrike, Irak e Afganistan.

I stërvitur nga forcat speciale amerikane “Green Berrets” dhe me pas pjesë e kompanise luftarake shqiptare “Eagle” 1,2,3 e ne vazhdim krah forcave speciale amerikane e britanike në zona të nxehta të luftimeve në Afganistan. Sipas burimeve nga Ushtria, Mevjol Bilo është specialist xhenio, zhytje, qitje, dhe ka qenë pjesëtar i kompanisë së parë antiterrorr në Forcat e Armatosura.

Arbër Sula – Në dhjetor të vitit të kaluar një vrasje me armë zjarri tronditi kryeqytetin, ku një agjent krimesh me detyrë në Dibër, ka qëlluar me armë zjarri për vdekje 29-vjeçarin Jurgen Duka (Mëziri). Vrasja ka ndodhur brenda një marketi në rrugën ‘Irfan Tomini’, ndërsa shkak u bë sherri mes dy personave se kush do paguante i pari tek kasa. Autori i vrasjes, Arbër Sula pasi u identifikua nga kamerat e sigurisë u shpall në kërkim nga policia.

229 efektivë policie nën hetim nga Prokuroria dhe SHÇBA:

Sipas të dhënave, rezulton se, për periudhën janar – shtator të vitit 2021, në të gjithë vendin 238 shtetas në të gjithë vendin, mes të cilëve 229 efektivë policie janë nën hetim nga Prokuroria dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat për vepra të ndryshme penale.

Mësohet se 67 prej efektivëve në hetim janë policisë të nivelit të parë, në rang drejtuesish. Ndërsa 162 punonjës policie janë të nivelit zbatues. Po ashtu në listë janë edhe 4 punonjës civil, 3 efektivë të Gardës dhe 2 punonjës të PMNZH-së.

Kujtojmë po ashtu se disa efektivë janë implikuar në ngjarje kriminale. Kujtojmë se një muaj më parë agjenti i krimeve në Policinë e Dibrës, Arbër Sula, vrau me armën e shërbimit 29-vjeçarin Jurgen Duka, pas sherrit se kush do të paguante i pari në market. Polici vijon të jetë ende në kërkim.

Në vitet e fundit nuk kanë qenë të paktë policët e raportuar si të përfshirë në kultivimin e kanabisit.

Në Nënin 2 të Ligjit për Policinë e Shtetit thuhet qartë se:

“Policia e Shtetit ka për mision ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.”

Ndërkohë në Nenin 76, ku flitet për bashkëpunimin me komunitetin citohet se:

1.Policia bashkëpunon me komunitetin për garan-timin e rendit dhe sigurisë publike për ushtrimin e plotë të lirive dhe të të drejtave të personave, për rreziqet që mund t’u kanosen nga situatat e fatkeqësive natyrore e atyre aksidentale.

Policia kërkon ndihmën e publikut për t’u informuar për çështje që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, duke ofruar shpërblime e duke garantuar konfidencialitetin e burimit të të dhënave. Kur, për këtë shkak, personave u rrezikohet jeta, familja ose prona, policia u siguron atyre mbrojtje të veçantë. Kushtet dhe mënyra e përfitimit të kësaj mbrojtjeje përcaktohen nga Drejtori i Policisë së Shtetit.

Por, sa të sigurt ndihen qytetarët, kur pothuajse çdo muaj, në kronikat e televizioneve dëgjojmë e shohim jo vetëm efektivë por edhe punonjës të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët bien në prangat e kolegëve të tyre, pasi akuzohen për dekonspirim operacionesh, përfshirje në veprimtari kriminale, e madje arrijnë deri aty sa janë edhe drejtuesit e këtyre veprimtarive.

Gazeta Shqiptare