Shkarkohet nga detyra prokurorja e njohur e vendit. Zvarriti dhjetra çështje të ‘nxehta’

31 JANAR 2022

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur sot për shkarkimin e prokurores së Dibrës Belina Zeneli, e njohur midis të tjerash edhe si prokurorja e dosjes 184, për hetimin e blerjes së zgjedhjeve për Bashkinë e Dibrës, të zhvilluara në vitin 2016.

Gjatë një seance dëgjimore në Këshillin e Lartë të Prokurorisë ku janë prezantuar gjetjet e raportit, përfaqësuesja e ILD-së tha se prokurorja Zeneli (Kryemadhi) kishte kryer shkelje të rënda të Kodit të Procedurës Penale, pasi nuk kishte ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore.

Sipas gjetjeve nga hetimi disiplinor, rezulton se prokurorja kishte mbajtur pezull mbi 33 çështje, statusi i të cilave ishte ende i paqartë dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për mbi 300 kallëzime.

“Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të magjistrates, nuk u janë dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime”, thuhet në kërkesën e ILD-së për procedim disiplinor.

Duke i konsideruar shkeljet si shumë të rënda, përfaqësuesja e ILD-së kërkoi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që prokurorja e Dibrës të shkarkohej nga detyra.

“Veprimet dhe mosveprimet e magjistrates B. Z. përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore ‘Shkarkim nga detyra’”, thuhet në kërkesën e ILD-së.

Gazeta Sot