Nga Mentor KIKIA

Henri Çili, një sipërmarrës që predikon me forcë tregun e lirë dhe liberalizmin ekstrem në ekonomi, i drejtohet së fundimi Edi Ramës. Me një këshillë-kërkesë, që në mandatin e dytë qeverisës të ndërtojë tregje. Tregje ku të hidhet çdo pasuri dhe shërbim publik. Dhe këshilla përmblidhet në këtë frazë.

“Në vend që të besojë tek ofrimi i shërbimeve publike prej operatorëve shtetërorë apo publik të pareformuar. Duhet t’i fusë ato në treg në mënyrë të barabartë. Me të gjithë entet e tjera për të përfituar një mirëfunksionim. Për të përfituar nga krijimi e zhvillimi i tregjeve, një produkt sa më të mirë. Me çmim sa më të ulët për konsumatorin që vetëm konkurrenca mund të sjellë”.

Çili bën pjesë tek ata këshilltarë që sygjerojnë “kapitullimin” e shtetit. Dorëzimin e shërbimeve dhe aseteve ekonomike në dorë të privatit, si zgjidhje që do të ofrojë rritje të prodhimit dhe të cilësisë së shërbimit. Teoria nuk është e keqe. Pasi një sistem ku shteti kontrollon gjithëçka “sapo” u dëshmua se dështoi tërësisht. Ndaj dhe ekonomi e tregut, si zgjidhja më e mirë, në mungesë të ndonjë zgjidhjeje tjetër, është përqafuar nga shumica dërrmuese e botës.

Por le të kthehemi tek kapitalizmi dhe liberalizimi. Apo hedhja në treg edhe e pasurive dhe shërbimeve në Shqipëri. Deri tani nuk ka asgjë për tu shënuar si arritje. Asgjë për t’iu referuar si sukses. Përkundrazi, hedhja në treg e shërbimeve dhe privatizimi i sektorëve strategjikë, ka qenë një vrimë e zezë për ekonominë. Dhe një burim gjigand fitimi për oligarkinë ekonomike të lidhur me kastën politike të pushtetit.

Le ti kujtojmë disa!

Privatizimi i sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike: Eshtë sot një varr i hapur financiar. Skandali më i madh i privatizimeve që nga vitit 1992. Ku për shkak të korrupsionit, u shkelën me këmbë interest kombëtare. Sektori i naftës: Eshtë sot një maskaradë pa fund. Pasuria kombëtare është shndërruar në një plaçkë lufte. Ndërsa rafineria në një kovaçhanë që s’paguan as punëtorët e as taksat.

Privatizimi i minierave: Eshtë sërish një sektor që pasuron një kastë njerëzish dhe shfrytëzon si skllevër deri edhe fëmijët. Prodhon pak ose hiç fare të ardhura për ekonominë kombëtare. Dhënia me koncesion e shërbimeve në mjeksi: Eshtë vetëm një mënyrë për të rrjepur para nga buxheti i shtetit për llogari të klientëve të qeverisë.

Mbi 90 milion Euro i janë dhënë një kompanie private që shet cigare e alkool. Për të bërë analizat falas. Dhe të gjitha shërbimet i kryen pikërisht në klinikat e shtetit. Me punmonjësit e shtetit dhe në laboratortet e shtetit. Koncesionet në hidroenergjitikë: Janë një maskaradë e vërtetë mbi mjedisin dhe natyrën. Një barbari mbi parqet kombëtare që nuk do të toleroheshin në asnjë vend me dy fije kulturë.

Spo dua të zgjatem më shumë, përmenda disa prej sektorëve dhe shërbimeve më të mëdha që janë hedhur në treg.

Dhe kanë përfunduar vetëm në makineri zhvatjeje të pasurive kombëtare. Nuk ka asgjë të keqe që shteti të vazhdiojë të ruajë kontrollin mbi disa sektorë shumë jetikë për shëbrimet dhe ekonominë kombëtare. Janë këto shërbime, përmes të cilëve shteti luan rolin e tij.

Mund të mos bihet dakord se në këtë rast nuk e ka fajin filozofia e ekonomisë liberale. Por ata që e kanë zbatuar atë. Padyshim që kështu është. Por unë mendoj se në vend që të nxjerrim Shqipërinë në ankand duke e e bërë mall tregu, më mirë të ndryshojmë mënyrën e qeverisjes.

06.01.2018