“Një ish rekrut i thjeshtë me ëndrra në sirtar…”/ Zheji i “përvishet” Lleshaj: Dje ju…

Prill 14, 2019.

Analisti dhe moderatori Artur Zheji ka bërë një shënim të tij pas protestës së opozitës ku shprehet se gazi i lëshuar ndaj qytetarëve është një krim.

ARTUR ZHEJI/ Sigurisht që urdhërin për të lëshuar gaz të shumtë, në disa seanca të përsëritura, kundrejt protestuesve që po qëndronin paqësisht dhe me flamur kombëtar, përpara Kuvendit të Shqipërisë, e keni dhënë ju zoti Ministër!Por unë nuk dua ta besoj, ose më saktë nuk do të doja ta besoja. Sepse pikërisht kur gazi u derdh mbi shqiptarët që nuk e mendojnë si ju, por që janë shqiptarë po aq sa ju, ata, ishin më paqësorë se asnjë çast tjetër të asaj proteste. Kjo do të thotë se gazi, u përdor si torturë dhe si ndëshkim masiv, thjesht sepse, ata po protestonin kundër kryeministrit tuaj dhe kundër qeverisë ku ju bëni pjesë. Kjo ndoshta ju, që e mendoni ndryshe nga ata, por keni pushtet, policë, pushkë e gaz, mund tju ketë lënduar dhe revoltuar në brendësi.

Ndoshta ju, si ministër, si ish anëtarë e kryetarë bordesh të rëndësishme, ndoshta ju pra, po përjetoni pjesën më të bukur të jetës suaj dhe të karjerës që keni ëndëruar, që kur u veshët me uniformë ushtarake për herë të parë. Ndoshta ju dëshëroni me gjithë shpirt që të qëndroni ministër për një kohë sa më të gjatë, të jepni urdhëra dhe të ndjeheni i rëndësishëm, kjo është padyshim një ndjesi e bukur në jetën tuaj personale, që dukshëm ju ka magjepsur dhe ju bën tashmë të pandjeshëm ndaj njerzve. Ndoshta ju, në këtë kohë krize, ndjeheni, fill pas shefit tuaj që ju besoi kaq shumë, njeriu më i begenisur i kësaj qeverie mjerane dhe kjo ju jep një gjumë plot ëndra dhe një zgjim mëngjesor nën tingujt e një burie imagjinare triumfuese!

Një ish rekrut i thjeshtë me plot ëndra në sirtar, bëhet gjeneral dhe më pas, ish rekruti, është sot ministri i rëndësishëm, që komandon mijëra e mijra vetë, që ndiqet nga kamerat e televizionet si një yll kinemaje, e plot gudulisje sedre si këto, në një moshë kur ndoshta e kishit humbur shpresën se mund të vinte një ditë e tillë, edhe për ju… Dhe nuk ju zgjon më në mëngjes, prej shumë kohësh buria e ashpër e zgjimit në kapanon, por tringëllima me variacione e celularit, mbushur me sms-ëra kryeministrore…

Të gjitha këto, ti gëzoni zoti gjenaral e ministër Lleshaj, por në emër të këtyre miklimeve, ledhatimeve të sedrës apo të përfitimeve të tjera, nuk keni të drejtën të helmoni mijëra njerëz me gaz të rëndë dhe të merrni në shënjestër të gazit, të varfërit e popullit tënd, deputetët e vendit tënd, mediat shqiptare në krye të detyrës, fëmijët e shumtë që barisin si pjesëmarrës apo si kureshtarë në rradhët e protestuesve. Ajo që ndodhi në datën 13 Prill 2019, ishte një goditje ndëshkuese me gaz nga policia e shtetit!

Ishte një goditje për të shkaktuar dhimbje dhe vuajtje, pa asnjë shkak dhe detyrim operacional. Permimetri i Kuvendit, ndryshe nga perimetri i Aeroportit të Rinasit, ku u grabitën ditën për diell 10 milionë euro, ishte i sigurtë, i paprekur dhe aspak nën sulmin e protestuesve.
Dhatë pra, ju zoti Lleshaj, një urdhër krejt antiligjor, ndëshkues dhe torturues, ndaj mijëra njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur, madje më pas, patët edhe hipokrizinë të akuzonit se shkaku ishin ata dhe maskat e tyre.

Gjithsesi, unë ju falenderoj për këtë veprim që bëtë, sepse ju zoti ministër, me këtë akt, themeluat shtetin e ri policor të vitit 2019 dhe bëtë edhe më të dukshme se jeni i gatshëm të urdhëroni ose të jepni edhe vetë, urdhëra kundra popullit, që ju paguan mirë dhe shtrenjtë, që ta mbroni dhe jo ta sulmoni! Populli nuk është armiku juaj, zoti Lleshaj, ndërsa ju, kryet një vepër të vullnetshme ndëshkimi të paramenduar ndaj tij. Mendoj se sot, sëpaku moralisht, ju zoti Lleshaj, i humbët përgjithmonë gradat e djersitura të Gjeneralit, që mbani diku në sirtar, qëkurse u veshët me teshat civile të ministrit dhe helmuat me qëllim torturën dhe vuajtjen, popullin tuaj, që ushtronte të drejtën kushtetuese të Protestës!