1 Prill 2026

Investigim – Gazeta DITA

Një pozicionim në dy pika nevralgjike që kontrollojnë jo vetëm dosjet, por edhe fatet profesionale të të gjithë hetuesve të vendit, ngre pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e sistemit. Ky nuk është një rast i zakonshëm nepotizmi. Është një situatë ku institucioni mbivendoset me familjen, duke krijuar një “unazë kontrolli” që vështirë se mund të quhet e pavarur

Skandali me emërimin “off side” të kryehetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga KLP dhe SPAK, u trajtua në tre ditë nga “Dita” për të mos u mbyllur thjesht si sensacion mediatik ditën e katërt. Investigimi vazhdoi dhe zbardh një aferë që shkon përtej KLP-së, SPAK-ut dhe BKH-së.

A do jetë drejtësia e re bazuar te meritokracia apo do vazhdojmë me avazin e vjetër? Përpos të gjitha fakteve, provave dhe dokumenteve të botuara asnjë reagim publik ose institucional nuk erdhi nga SPAK, KLP apo shoqatat e prokurorëve dhe të gjyqtarëve që merakosen me të drejtë për çdo cenim të pavarësisë dhe integritetit të tyre profesional. Qoftë dhe nga fjalët “bjeri t’i biem” të kryeministrit hokatar shqiptar.

Përse emërimi i Joni Ketës, në një pikë nevralgjike të sistemit “special” të drejtësisë nuk “u bëri asnjë përshtypje” ushtruesve të drejtësisë?

As shkallmimi i procedurës së përzgjedhjes së kreut të BKH-së nga anëtarët e KLP-së nuk ngjalli asnjë reagim, qoftë edhe një interesim apo pyetje të thjeshtë: A është e vërtetë e gjithë kjo? Që babai prokuror në KLP zgjedh të birin kryehetues në BKH?

Hysen Keta, i cili u shkarkua në 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas problemeve të konstatuara kryesisht në kriterin e pasurisë. Tre vjet më vonë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit e riktheu në sistem

Çështje familjare apo…

Nga burime të redaksisë informohemi se, prokurori Hysen Keta, aktualisht në pozicionin e këshilltarit të Etikës pranë KLP-së, nuk është vetëm babai i Joni Ketës, kreut të BKH-së, por është edhe kryetari i Komisionit të Policisë Gjyqësore.

Ky komision ka në dorë karrierën e gjithë oficerëve të policisë gjyqësore në Shqipëri. Ky komision është KLP-ja e OPGJ-ve të të gjitha prokurorive të zakonshme të Republikës.

Përbëhet nga 5 anëtarë, ku vetëm njëri prej tyre është prokuror që caktohet nga Prokurori i Përgjithshëm, e që është edhe kryetar i komisionit. Nuk u gjet asnjë emër tjetër në “Republikën e Prokurorëve” për të drejtuar këtë komision. Ai duhet të ishte përsëri një person nga familja “Keta”, prokurori Hysen Keta, babai i Joni Ketës.

Pra, babai drejton komisionin që përzgjedh dhe disiplinon oficerët e policisë gjyqësore në të gjitha rangjet e prokurorive të zakonshme, i biri drejton skuadrën speciale të oficerëve të BKH-së.

A është normale kjo?

Joni Keta, i zgjedhur në krye të BKH megjithëse u rendit i gjashti nga 7 kandidaturat që iu nënshtruan testeve që parashikon ligji për postin

Njё vёshtrim juridik i kompetencave të Komisionit “Keta”

Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore, Komisioni i Policisë Gjyqësore është organi qendror kolegjial që mban në dorë menaxhimin institucional të oficerëve të policisë gjyqësore, me përjashtim të punonjësve të BKH-së që kanë statusin e OPGJ.

Vetë ligji e ndërton këtë komision si një strukturë me peshë reale në sistem, sepse nuk ka rol thjesht këshillimor, por vendimmarrës për numrat, lëvizjet, karrierën, vlerësimin dhe disiplinën e OPGJ-ve.

Komisioni përbëhet nga 5 anëtarë. Në të ka një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, një oficer të policisë gjyqësore nga seksioni i prokurorisë, një oficer nga shërbimet hetimore të Policisë së Shtetit, një drejtues të strukturës hetimore të Policisë së Shtetit dhe një përfaqësues nga shërbimet e tjera të policisë gjyqësore të institucioneve shtetërore, i caktuar me rotacion nga tatimet ose doganat.

Pra, përbërja është e përzier, por ligji e vendos qartë qendrën e vendimmarrjes te prokuroria, sepse kryetari i Komisionit është anëtari prokuror dhe ai e ushtron këtë detyrë me kohë të plotë, ndërsa anëtarët e tjerë janë me kohë të pjesshme. Mandati është 2-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Edhe mënyra si funksionon komisioni e forcon më tej rolin e kryetarit. Mbledhjen e parë e thërret ai, mbledhjet zhvillohen në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, kuorumi arrihet me 3 anëtarë, vendimmarrja bëhet me shumicë votash dhe, kur votat ndahen baraz, vota e kryetarit është përcaktuese.

Po ashtu, kryetari, në bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshëm, cakton edhe personelin administrativ që shërben si sekretariat teknik i komisionit. Ligji nuk e trajton kryetarin si figurë ceremoniale, por si nyjën që drejton mbledhjen, aparatin ndihmës dhe në rast bllokimi edhe vetë rezultatin e votimit.

Ky komision ka në dorë arkitekturën e trupës së OPGJ-ve. Ai përcakton numrin e përgjithshëm të oficerëve të policisë gjyqësore në seksione dhe në shërbime, në bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshëm dhe ministrat përgjegjës që kanë OPGJ në institucionet që drejtojnë.

Po ky komision emëron, ngre në detyrë, transferon dhe komandon oficerët e seksioneve të policisë gjyqësore, ndërsa për oficerët e shërbimeve miraton transferimet dhe komandimet që propozohen nga titullarët e institucioneve përkatëse.

Pra, në praktikë, komisioni është filtri institucional i lëvizjes së OPGJ-ve në të gjithë sistemin hetimor shqiptar, jashtë BKH-së.

Ligji i jep komisionit edhe rol vendimtar në hyrjen në sistem. Për oficerët e seksioneve, përzgjedhja bëhet përmes një procesi të hapur dhe transparent konkurrimi, por kandidaturat që dalin nga ky proces i propozon Prokurori i Përgjithshëm dhe emërimin e bën komisioni.

Për më tepër, rregullat më të hollësishme për procedurën e konkurrimit dhe emërimit përcaktohen me propozim të komisionit dhe miratim të Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo do të thotë se komisioni nuk del vetëm në fund për të vulosur një emër, por ndikon edhe në vetë skemën procedurale me të cilën përzgjidhen OPGJ-të. Karriera e tyre kalon nga ky filtër.

Ngritja në detyrë për oficerët e seksioneve bëhet me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm, por vendimin e merr komisioni, pasi vlerëson rezultatet në punë dhe integritetin.

Për t’u ngritur në detyrë kërkohet jo vetëm përvojë, por edhe bilanc i fortë vlerësimi, sepse oficeri duhet të ketë tre vlerësimet e fundit “shumë mirë”. Po kështu, për komandimet dhe transferimet komisioni ka fjalën e fundit, përfshirë rastet e riorganizimit, kërkesës personale, rrezikut për jetën ose shmangies së papajtueshmërisë etike.

Në rast transferimi, komisioni verifikon kushtet dhe vendos edhe nëse lëvizja duhet shtyrë për të mos cenuar hetimet.

Komisioni kontrollon edhe standardin profesional. Ai përcakton rregullat e trajnimit fillestar për hetimin, vlerëson nevojat për trajnim dhe planifikon trajnimet e oficerëve dhe agjentëve të policisë gjyqësore në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucionet përkatëse.

Më pas, në fazën e shërbimit, komisioni merr çdo vit vlerësimet e rezultateve të punës, bën klasifikimin e oficerëve nga “I paaftë” deri te “Shumë mirë” dhe përcakton edhe rregullat e detajuara të këtij vlerësimi. Kjo e bën komisionin jo vetëm organ emërimi, por edhe organ që ndikon drejtpërdrejt në fatin profesional të OPGJ-ve në vijimësi.

Po aq i fortë është roli i komisionit në disiplinë. Ai shqyrton kërkesat për procedim disiplinor, nxjerr urdhrin për fillimin e procedimit, zhvillon shqyrtimin, vlerëson provat, rrethanat lehtësuese apo rënduese, dosjen personale, praktikat e mëparshme dhe në fund vendos për marrjen e masës disiplinore ose për pushimin e procedimit.

Kjo do të thotë se komisioni ka dorë jo vetëm te hyrja, lëvizja dhe karriera, por edhe te ndëshkimi dhe largimi nga detyra i OPGJ-ve.

Nga vetë ndërtimi i ligjit del qartë se komisioni është një hallkë kyçe e kontrollit institucional mbi policinë gjyqësore: ai ndikon sa OPGJ do të ketë sistemi, kush hyn, kush lëviz, kush ngrihet nё detyrё, kush vlerësohet dhe kush procedohet pёr ҫёshtje disiplinore.

Gjithsesi, këto kompetenca të komisionit nuk shtrihen mbi punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit që kanë statusin e oficerëve të policisë gjyqësore. Në BKH-në “Keta”, ligji i OPGJ-ve e përjashton komisionin “Keta” nga ushtrimi i këtyre kompetencave.

Pra në krye të këtij komisioni ndodhet një figurë me peshë institucionale. Paralelisht, një tjetër pozicion kyç në sistemin e hetimit, në një strukturë të posaçme si SPAK, mbahet nga një familjar i tij.

Një situatë e pa precedentë që krijon një përqendrim të jashtëzakonshëm ndikimi mbi trupën hetimore në Shqipëri.

Ky pozicionim në dy pika nevralgjike që kontrollojnë jo vetëm dosjet, por edhe fatet profesionale të të gjithë hetuesve të vendit, ngre pikëpyetje të mëdha mbi integritetin e sistemit. Nuk është thjesht një rast nepotizmi. Është një situatë ku institucioni mbivendoset me familjen, duke krijuar një “unazë kontrolli” që vështirë se mund të quhet e pavarur

A do e ri-verifikojë KLP-ja situatën e BKH-së dhe Prokurori i Përgjithshem situatën e “OPGJ”-së? A ka një mekanizëm për të shmangur konfliktin e interesit? Apo drejtësia e re që e ngritëm për të shmangur korrupsionin, mungesën e meritokracisë dhe nepotizmin, do të zgjedhë prapë të heshtë?