23 Shkurt 2023

Kryetari i PD-se Sali Berisha në një deklaratë jashtë selise blu pas përfundimit të protestës së të enjtes, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se jep tendera për të afërm dhe familjarë të tij.

Berisha në fjalën e tij para gazetarëve përmendi se tendera në mënyrë të paligjshme ka marrë baxhanaku i tij dhe thjeshtra, vajza e Linda Ramës.

Sipas Berishës, baxhanaku i Ramës është “bërë bossi i tenderave digjitale” dhe se thjeshtra ka marrë tendera nga ministrja e Kulturës.

A e dini ju që një Fangu Fangu, baxhanaku i tij është bërë bossi i tenderave digjitale në Shqipëri edhe thjeshtra…pyeteni pak ministren e Kulturës si i dha tenderin kompanisë ku punon thjeshtra e Ramës? Pyeteni pak atë ministren e Kulturës me cfarë tagri ligjor i jep thjeshtrës së Ramës tenderat?”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, Berisha tha edhe se kryeministri Rama shtron darka që kushtojnë deri në 10 mijë dollarë.

A e dini ju se ky zotëri, shtrohet në darka 10 mijë dollarë me McGonigal, ministrja e tij këput 1 mijë euro biftekun?. Tregojnë urrejtjen e madhe që ata kanë ndaj jush. Nga viti 2014 deri në vitin 2022, 937 mijë shqiptarë u larguan vetëm në hapësirën e BE dhe se Shqipëria në eksportin e trurit tejkalon Haitin. Po pse? Sepse Edi Rama ndjek një politikë kundra jush. Ai nuk ka interesat tuaja. Ai ka interesat e veta i verbuar nga pushteti. Blen vazo druri 4 mln euro. Nuk e bën askush në Europë përveç sulltanëve të Arabisë”, deklaroi ai.