23 Shkurt 2023

Nga RIGELS SELIMAN

Dosja e inceneratorëve duket se do të tronditë shumë politikanë dhe zyrtarët të lartë në Shqipëri, të përfshirë në këtë megaaferë korruptive, për shkak se është në fazën përmbyllëse të hetimit. I rrezikuari kryesor është ish-ministri socialist Arben Ahmetaj. Ai akuzohet për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie. Pasi u bënë publike disa email-e që komprometojnë Ahmetajn, emri i të cilit figuron në disa fatura të paguara për llogari të tij, nga biznesmeni Klodian Zoto, në kërkim ndërkombëtar për inceneratorët, në së paku 8 hotele luksoze jashtë vendit,  një tjetër padi e re është depozituar ditën e djeshme në Prokurorinë e Posaçme, SPAK ndaj Ahmetaj. Paditësi është gazetari Adriatik Doçi dhe akuzat e tij kanë të bëjnë me një vilë të përfituar nga ish-ministri Ahmetaj në Hamallaj nga Klodian Zoto.

Si e fshehu vilën Ahmetaj?

Doçi deklaroi se vila është porositur nga Klodian Zoto dhe tani është emër të bashkëjetueses së Ahmetajt, Eriola Hoxha dhe kap vlerën e 1 milionë eurove. Gazetari kërkon ndjekje penale nga SPAK për ish- zv. kryeministrin, i cili aktualisht është deputet në Kuvend, bashkëjetuesen e tij, Eriola Hoxha dhe ish-bashkëshorten, Albina Mançka. “Të paditurit janë Arben Ahmetaj, ish-bashkëshortja e tij Albina Mançka dhe bashkëjetuesja Eriola Hoxha. Kallëzimi bazohet në disa fakte dhe prova. Ahmetaj ka përfituar një vilë nga Klodian Zoto. Këtë vilë e ka përfituar nga abuzimi me detyrë si ministër i Financave. Vila është porositur nga Klodian Zoto dhe sot është në emër të bashkëjetueses zyrtare të Ahmetajt, Eriola Hoxha. Kemi të bëjmë me një ryshfet që kap vlerën e rreth 1 milionë eurove. Vila ndodhet në zonën e Hamallajt. Vila është dhënë sepse Ahmetaj ka qenë finalizues i aferës së çështjes së inceneratorëve, ku ka firmosur në vitin 2014 dhe ka dhënë fondet më pas. Klodian Zoto i ka kthyer reston dhe i ka dhënë një vilë në emër të një personi të besuar nga Ahmetaj”, deklaroi Doçi për mediat, pasi depozitoi kallëzimin në SPAK.

Zbardhen dokumentet

Pra pagesat për hotelet luksoze janë vetëm maja e ajsbergut nga përfitimet që Ahmetaj ka pasur nga biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto. “Inside Story” ka siguruar disa dokumente që zbulojnë këtë dhuratë të majme me vlerë deri në 1 milionë euro për Ahmetajn. Në shkurt të vitit 2014, miku i ngushtë i Arben Ahmetajt, biznesmeni Gerian Kuka firmos një kontratë sipërmarrje për ndërtimin e një fshati turistik në Dhërmi si pronar i 13 mijë metrave tokë. Referuar kësaj kontrate që shihni, ai do të përfitonte 22 % të sipërfaqes ndërtimore. Por, në vitin 2018, kontratës i bashkëngjitet kjo shtojcë. Aty palët bien dakord që në marrëveshje të përfshihet edhe një vilë në kompleksin në Hamallaj që ndërtohej nga e njëjta kompani. Për vilën thuhet se komapnia do të kompensohej nga investitori. Dhe në fakt, ashtu ndodh zyrtarisht. Në 19 Nëntor 2021, firmoset kjo kontratë për blerjen e vilës nga miku biznesmen i Ahmetajt, Gerian Kuka. Prona blihet për vlerën e 174.650 euro. Një vlerë e papërfillshme për një vilë luksoze me sipërfaqe ndërtimi 221 metër katror dhe oborr 521 metra katrorë. ‘De facto’ porositësi rezulton biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto dhe përfituesi i vërtetë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.

Publikohet emaili

Në këtë email të siguruar nga “Inside Story”, e cila gjendet edhe në kompjuterin e tij, të sekuestruar nga SPAK, kompania ndërtuese njofton në 20 Qershor 2017 biznesmenin Zoto për ecurinë e punimeve pikërisht në vilën F.022. E njëjta që me letra u ble nga Gerian Kuka, por me pronar fundor Arben Ahmetajn. “I nderuar zoti Zoto, përshëndetje. Dëshirojmë tju vëmë në dijeni për ecurinë e punimeve në vilën tuaj F.022 në ‘vala Mar Residences” Disa muaj më vonë, në 22 nëntor të vitit 2017 punimet për vilën përfundojnë. Kompania ndërtuese i adreson një tjetër email biznesmenit Zoto ku e font të paraqitet për të marrë në dorëzim vilën e tij. Pra, të njëjtën që figuronte në emrin e biznesmenit Gerian Kuka. I nderuar zoti Klodian Zoto, ju lutem të respektoni afatet për paraqitjen dhe marrjen në dorëzim të asetit tuaj në kompleksin rezidencial “Vala Mar Residences” në Hamallaj. Pra, Zoto është porositësi i vërtetë. Tani, le të zbulojmë pronarin e vërtetë. Në 31 Mars të vitit 2022, Gerian Kuka ia shet vilën shtetases Eriola Hoxha. Fjala është për partneren e Arben Ahmetajt me të cilën nuk ka celebrime. Pra, i njëjti person që rezultonte edhe në faturat e hoteleve të mbuluara nga Klodian Zoto. Vlera e shitjes së vilës F.022 është 220 mijë euro. Pra, Gerian Kuka, miku i Ahmetajt që dilte në oktapodin e kompanive të ish-ministrit, i shet vilën bashkëshortes së tij. Këto dokumente, zbulojnë jo vetëm pronarin e vërtetë të vilës por edhe fiktivitetin e veprimeve për të mbuluar një pronë të padeklaruar. Këto prova, mund të jenë pikënisje për një hetim pasuror të organeve ligjzbatuese.

Gazeta Sot