Negociatat, Tusk: Maqedonia e Veriut bëri gjithçka Europa priste

17 shtator 2019

Gjatë qëndrimit të tij në Shkup ditën, presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk doli edhe në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Para mediave, Tusk kujtoi përpjepkjet e Maqedonisë së Veriut për integrim, si Marrëveshjen e Prespës, përballimin e krizës së emigrantëve dhe tejkalimin e krizës politike në vend.

Ai u shpreh: “Republika e Maqedonisë së Veriut e bëri të veten, tani radhën e ka Evropa që të përfundoj pjesën e saj”.

Sipas raportimit të Alsat, Tusk shtoi: “Mbetem në qëndrimin që kam shprehur edhe në qershor, se vendi juaj gjatë dy viteve të fundit bëri gjithçka që Europa priste nga ju për t’i filluar negociatat, në pajtim me rekomandimet e Komisionit Evropian. Kjo është edhe më tej bindja ime, vendi i juaj bëri çmos…Shkupi është vendi më i mirë nga ku dua të apeloj deri tek liderët e BE-së, tani ju duhet ta përmbushni pjesën tuaj, sepse Republika e Maqedonisë së Veriut tanimë ka mbaruar pjesën e saj”.

Kryeministri Zaev, në vijim, deklaroi se përpjekja e vendit të tij do të kurorëzohet me hapjen e negociatave në tetor.

“Sot kemi nder që ta presim mikun tone kreun e këshillit të Evropës z. Donald Tusk, i cili asnjëherë nuk ndaloi duke mbështetur rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së. Shpresojmë që këtë interes të përbashkët ta kurorëzojmë në tetor. Pas 10 rekomandimeve të Komisionit Evropian dhe rezultatet që arritëm, gjithnjë e më shumë jemi të bindur që t’i sfidojmë të gjitha pengesat për fillim të negociatave”.

e.ll./dita