31 Gusht 2026

Një not veror zakonisht duhet të përfundojë vetëm me ndonjë djegie nga dielli dhe rërë në makinë. Por për një familje në Luiziana, një vizitë në liqenin Claiborne përfundoi në tragjedi. Tetëvjeçarja Lillian Smart vdiq nga një infeksion i rrallë i trurit, i shkaktuar nga Naegleria fowleri. Autoritetet shëndetësore besojnë se ajo u ekspozua ndaj amebës gjatë notit në liqen.

Naegleria fowleri gjendet natyrshëm në tokë dhe ujëra të ëmbla të ngrohta. Infeksionet te njerëzit janë jashtëzakonisht të rralla, por në shumicën dërrmuese të rasteve janë fatale. Ndërsa temperaturat globale rriten, shkencëtarët po shqyrtojnë nëse ujërat më të ngrohta mund t’i krijojnë amebës mundësi të reja për t’u përhapur.

Çfarë është ameba “që ha trurin”?

Ameba mund të jetojë në mënyrë të pavarur në mjedis dhe zakonisht ushqehet me baktere e mikroorganizma të tjerë.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreziku lind kur uji që përmban amebën hyn me forcë në hundë. Prej aty, ajo mund të shkaktojë meningoen cefalitin amebik primar (PAM), një infeksion që përparon me shpejtësi, dëmton indet e trurit dhe shkakton ënjtje të rëndë.

Simptomat e para, si dhimbja e kokës, temperatura, të përzierat dhe të vjellat, mund të duken si shenja të sëmundjeve të zakonshme. Më pas mund të shfaqen qafë e ngrirë, konfuzion, kriza, halucinacione dhe humbje e ekuilibrit. Shumica e pacientëve vdesin brenda 1–18 ditësh nga shfaqja e simptomave.

Sëmundja është jashtëzakonisht e rrallë. Në SHBA, nga viti 1937 deri në 2025 janë raportuar 180 raste dhe asnjë vit nuk ka pasur më shumë se tetë raste. Megjithatë, më shumë se 97% e pacientëve të njohur kanë vdekur.

Pse ngrohja globale është shqetësuese?

Ameba preferon liqenet, lumenjtë, pellgjet dhe burimet e nxehta. Ajo nuk shkakton infeksion nëse uji gëlltitet; duhet të hyjë në hundë, zakonisht gjatë zhytjes, kërcimit ose notit nën ujë.

Pasi hyn në hundë, mund të lëvizë përgjatë nervave të nuhatjes dhe të arrijë trurin. Shkencëtarët mendojnë se kjo mund të lidhet me mënyrën se si ameba kërkon ushqim në sedimentet e ujit.

Ngrohja e liqeneve dhe lumenjve mund të krijojë kushte më të përshtatshme për të. Temperaturat e larta favorizojnë gjithashtu cianobakteret, që mund të jenë një burim ushqimi për amebën. Në të njëjtën kohë, moti më i nxehtë i shtyn më shumë njerëz të kërkojnë freski në ujë.

Historikisht, shumica e rasteve amerikane janë regjistruar në shtetet jugore, por raste janë konfirmuar edhe në Minesota, Ajova, Nebraska, Indiana dhe Merilend. Shkencëtarët dyshojnë se ujërat më të ngrohta mund ta kenë zhvendosur gradualisht shtrirjen e amebës drejt veriut.

Rreziku mbetet jashtëzakonisht i ulët, por mund të reduktohet më tej duke përdorur kapëse për hundën gjatë notit në ujëra të ngrohta, duke shmangur trazimin e sedimenteve në ujëra të cekëta dhe duke përdorur vetëm ujë të distiluar, steril ose të zier më parë për shpëlarjen e sinuseve. /Discover Magazine – Syri.net