Cunami politik në Tiranë, Grid Rroji zbulon planin sekret të qeverisë për të inskenuar trazira në protestë, ja si po përgatitet përplasja e madhe

31 Gusht 2026
Grid Rroji, pedagog i shkencave politike në universitetin CUNY-New York në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka paralajmëruar opinionin publik se kasta politike në pushtet po zbaton skenarë të rrezikshëm për të mbajtur kontrollin e vendit dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga skandalet e mëdha.
Sipas tij, e gjithë elita e Tiranës është bërë bashkë në një front të përbashkët me sindikatat ndërkombëtare të krimit, të cilat tashmë e kanë marrë shtetin shqiptar nën kontroll të plotë, duke tjetërsuar pronat dhe pasuritë publike. Në fokus të denoncimit të tij janë planet e errëta që po thuren për të dëmtuar protestën qytetare.
Rroji thekson se ekziston rreziku i përdorimit të sulmeve të rreme ose skenarëve të dhunës së inskenuar nga vetë qeveria, të cilat më pas do t’i faturohen protestuesve për të delegjitimuar lëvizjen. Kjo lojë psikologjike, sipas tij, synon të hutojë qytetarët, ndërkohë që institucionet e drejtësisë, dhe në veçanti SPAK-u, po veprojnë me një ngadalësi skandaloze përballë abuzimeve të pushtetit.
Pjesë nga analiza e Grid Rrojit
“Le ta fillojmë me pyetjen që ka çdokush që e do Shqipërinë ende sot, çdokush që ka një pikë gjak shqiptari në vena, që është pyetja: Jemi këtu ku jemi, e kuptojmë hallin tonë, ku duhet të shkojmë, çfarë duhet të bëjmë? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, dua të filloj me disa ndodhi të fundit që kanë ndodhur.
Të cilat jo vetëm që e kanë përforcuar, por e kanë bërë sinjalin e alarmit, kushtrimin që duhet të kenë shqiptarët, duhet t’ju vijë nga brenda. Është një kushtrim që nuk ta jep dot unë, s’ta jep dot asnjë profesor, asnjë njeri i rrugës. Është një kushtrim që duhet pasur brenda përbrenda. Kush e ka e ndjen, kush nuk e ka nuk e ndjen. Kështu që kjo është një çështje shumë e qartë dhe s’ka nevojë për shumë shpjegime.
Por ajo që duhet të them është kjo: Në këto kohë ne ju kemi thënë që paria e Tiranës punon e gjitha bashkë. Ju ka dalë se paria e Tiranës punon e gjitha bashkë. Së dyti, Sindikata Ndërkombëtare e Krimit ka vite dhe dekada që depërton brenda shtetit shqiptar dhe sot e ka shtetin shqiptar me tapi. Këtë po e kuptoni sepse po ju dalin shitjet e ishullit për interesat e kësaj apo asaj sindikate ndërkombëtare të krimit, pra tjetërsimi i pronave — po ju del gjithçka që ju kemi thënë para shumë kohe.
Por këtë po e lëmë, nuk ka dhe fort rëndësi çfarë ju kemi thënë. Rëndësi ka që këto po vërtetohen. Gjëja më e fundit që kemi theksuar, që kam theksuar, është rreziku i tmerrshëm i një lufte fetare libanizuese që do ta bëjë Shqipërinë si Libani. Mund të bëhet edhe si Somalia, mund të bëhet si Libani — ka shumë shembuj të ndryshëm, por nga pikëpamja fetare ne i përngjasojmë Libanit sepse sigurisht që nuk kemi druzët, por kemi ata revolucionarët iranianë dhe pastaj kemi disa lloje grupesh të ndryshme të kultivuara e të tjerë e të tjerë.
Pra, çështja e shtetit bektashi ka dalë në pah dhe po e shihni. Çështja e mungesës së drejtësisë ka dalë në pah dhe po e shihni. Pra, nuk ka drejtësi, SPAK-u është jashtëzakonisht shumë i ngadaltë. Interesat e huaja shtyjnë vetëm deri aty ku ju intereson atyre dhe jo shqiptarëve. Atëherë, jemi në këtë pikë: Kemi një qeveri e cila tallet me protestën, një kryeqeveritar që tallet me protestën.
Ndërkohë që, sipas disa raportimeve të një gazetareje, përgatit edhe ato që në anglisht quhen false flag attacks (sulme nën flamur të rremë), domethënë sulme të cilat do t’ia veshë protestës. Nuk e dimë a është e vërtetë kjo. Nuk e dimë a është ky një lajm që vjen nga ndonjë shërbim tjetër, i cili kërkon të luajë lojëra me mendësinë e shqiptarëve. Kjo duhet t’ju bëjë t’i kuptoni që në Shqipëri sot me mendjen tuaj po bëhet një lojë e frikshme. Po luajnë ata me të gjithë ne.
Dikush thotë kështu, dikush thotë ashtu, dikush del me një lajm të tillë; del një gazetare që nuk njihet, të cilën e merr një portal i cili i ka shërbyer X-it, Y-it apo Z-it, ecin përpara, dalin me lajme se çdokush dëgjon nga një lajm, raporton nga një lajm tek shoku ose shoqja, ose e dashura, ose gruaja, bashkëshortja, kunati, baxhanaku — nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që të gjitha këto qarkullojnë dhe të gjitha këto bëhen për të hutuar mendjen e shqiptarëve. Dhe tani së fundmi, për të mos u zgjatur shumë se dua të dal pastaj tek zgjidhja, tani së fundmi ka dalë problemi që po ka përplasje brenda për brenda.
Ka disa njerëz që quhen të Sorosit, ka disa njerëz që e quajnë veten e kombit, patriotët e të tjera e të tjera. Aty brenda ka shumë të vërteta, por ka dhe shumë gjëra të cilat sajohen për arsye të ndryshme. Problemi nuk është këtu. Problemi nuk është cilat grupe janë në atë protestë, sepse këtë jua kemi thënë që në fillim. Problemi nuk është se a ka grupe që rremojnë e i japin barkës në drejtim të Erion Veliajt, në drejtim të Ilir Metës, në drejtim të grupeve sorosiane, në drejtim të ushunjëzave të ndryshme që vijnë nga Partia Demokratike ose që vijnë nga njerëz të tjerë — ka. Nuk është ky thelbi. Je ti, jam unë; thelbi nuk është ky.
Çdokush ka një histori të cilës i rri, çdokush ka besueshmëri apo jo në sytë e shqiptarëve. Ajo që protesta ka nxjerrë në pah, që e shohim të gjithë, është pikërisht kjo: që shqiptarët duan një shtet që punon për shqiptarët. Pra, duan me fjalë të tjera një shtet-komb.
Pavarësisht se fjala shtet-komb ju tremb juve pak, por le ta quajmë një shtet të ri të shqiptarëve, me rregullat tona, që të na mbrojë ne, që të mbrojë identitetin, që të na mbrojë nderin, që të na vendosë në një rrugë ekonomike ku të gjithë kemi nderin që jetojmë dhe punojmë, që të rikthejë shqiptarët në Shqipëri dhe të mos i largojë.
Të gjitha këto janë gjëra që shqiptarët i duan. A i artikulojnë dot nëpër intervista e të tjera e të tjera? Nuk ka rëndësi. A ka dalë ndonjë mashtrues themelor që del e thotë nëpër televizione se ‘e kam thënë unë’ e të tjera? Nuk ka kurrfarë rëndësie, nuk kanë rëndësi ato. Rëndësi ka që ideja e popullit është tani më e qartë. Populli nuk e do më këtë, po e quajmë, pocaqillëk. Nuk e do më këtë zallamahi”, u shpreh ndër të tjera Grid Rroji në podcastin e tij.
Nga: Gazeta Sot
