Ndahet nga jeta Shevqeti Mehmeti që ruante koleksionin-thesar i trashëgimisë kulturore

20 prill 2022

…”Vetem numri i fotografive kalon në 200 mijë, …”.

Në profesionin e tij primar si mjek specialist i urologjisë, ishte emër i shquar edhe për pasionin e tij në koleksionimin e artefakteve, e veçmas për muzeun e tij privat në shtëpi, u bë pikë reference në Gjilan e më gjerë. Ai qe shembull i ruajtjes dhe kujdesit ndaj trashëgimisë kulturore. Shevqet Mehmet vdiq të martën. Lamtumira e fundit iu dha të mërkurën në vendlindjen e tij në Gjilan. Ai ishte 67-vjeçar.

Pos si koleksionist, Mehmeti u bë edhe dokumentues i asaj pjese të trashëgimisë, e cila po zhdukej çdo ditë e më shumë. Koleksionimi nuk mbeti thjesht pasion, por u shndërrua në mision. Në oborrin e tij ruante thesar të çmueshëm, të cilin ia shpaloste secilit kureshtar. Krejt kjo lidhje e tij me trashëgiminë kulturore pati zanafillën te një histori personale e tij e cila më pas u zgjerua për t’u shndërruar në mini-muze.

“Babai im, i cili ka qenë me profesion kalldrëmgji i njohur i Gjilanit, njëherësh ka punuar edhe në Kombinatin e Tekstilit, m’i dha kapelat që i ka bartur nga viti 1945, orën e xhepit dhe tespihet dhe thotë: ‘Po t’i lë ty se këta të tjerët kushedi se a i ruajnë apo jo’. Ky ishte një motiv të filloj t’i mbledh. Pastaj fillova të mbledh nga shokët e babës gjërat e nënës sime, shoqeve të nënës, burrave dhe grave të mëhallës dhe kështu gjithnjë zgjerohej ky rreth”, do të tregonte Mehmet në një reportazh realizuar nga KOHA, në gushtin e vitit 2020. Pjesë e koleksionit të tij janë qindra artefakte, fotografi të moçme, libra, vegla pune… Kamerën e aparatit të tij fotografik do ta vinte në shërbim për të kapur gjithçka nga zona e Anamoravës, që ai mendonte se po zhdukej. Nuk ka lënë gjë pa fotografuar, çdo gjë të vjetër e cila i dukej interesante dhe atë që vlerësonte se së shpejti koha mund ta shuajë.

“Gjithmonë kam fotografuar gjëra që kam menduar se po zhduken dhe çdo të diele kam dalë në fshatra, në qytete në rajonin e Anamoravës, në Gjilan, Kamenicë, Viti, Novobërdë. Mendoj se nuk kam lënë asnjë rrugicë që nuk e kam fotografuar, nëse them se numri i fotografive kalon në 200 mijë, aty ka dritare të vjetra, dyer të vjetra, objekte fetare, oxhaqe, sofra, gjithçka”, do të tregonte Mehmet.

Shevqet Mehmet u lind më 24 janar 1955 në Gjilan, ku kreu shkollën fillore “Musa Zajmi”, ndërsa gjimnazin “Zenel Hajdini” e mbaroi në vitin 1973. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Universitetin e Beogradit në vitin 1978.

Më 1976 mori “Çmimin e Tetorit” të qytetit të Beogradit, si student. Specializimin në urologji e kreu në Qendrën Klinike Universitare “Rebro” në Zagreb, në periudhën e viteve 1981-1985 më 1984 përfundoi studimet post-universitare nga urologjia. Më 1985 për herë të parë u hap reparti i urologjisë në Gjilan nga dr. Mehmet, ndërsa më 1987 e hapi kabinetin e ultrazërit.

Është autor i 47 punimeve shkencore në revista shkencore në Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Serbi, Slloveni dhe Turqi. Ndër të tjera është fitues i disa titujve e çmimeve për fushën e trashëgimisë kulturore, u bë personalitet i respektuar jo vetëm në vendin e tij, por edhe më gjerë.

Besartë Elshani

Gazeta Koha, Prishtine