“Na pëlqen që të merret Tjetri me ne, ndërsa yni nuk na e mbush mendjen”. Një analizë për “albanologët” dhe kompleksin tonë të inferioritetit

15 Janar 2022

“Te huajit jemi gati t’ia vëmë etiketën e albanologut edhe sikur thjesht të ketë mësuar të zgjedhojë foljen punoj”.

Studiuesi Ardian Vehbiu në një analizë mbi albanologjinë në blogun Peizazhe të Fjalës shkruan ndër të tjera se rezulton një gatishmëri e jona për t’i shtuar e shumëfishuar albanologët e huaj teksa pakësojmë e minimizojmë tanët.

“Dhe njëlloj e quajmë “albanolog” edhe atë që ia ka kushtuar jetën studimeve shqiptare, edhe atë tjetrin që me këto studime është marrë rrallë e tek, ose që i janë dashur për studime të tjera.

Kaq përjashtimor na duket interesi i një të huaji për “punët tona”, sa jemi gati t’ia vëmë etiketën e albanologut edhe sikur thjesht të ketë mësuar të zgjedhojë foljen punoj” – shkruan Vehbiu dhe shton se na pëlqen që të merret Tjetri me ne, ndërsa yni nuk na e mbush mendjen.

“Kush do të guxonte të quante “albanolog” një profesor të sintaksës së shqipes, në një Universitet të provincës? Në një kohë që nuk e kemi për gjë të presim me nderime të mëdha dhe t’ua vëmë këtë titull deri edhe ndonjë filatelisti çfarëdo.

Ngurrojmë të quajmë “albanolog” Bahri Becin, Aurel Plasarin e Pëllumb Xhufin, ndërsa nuk na dridhet qerpiku, për të pagëzuar kështu të parin student të huaj qurrash të shqipes, që e sjell era këndej nga ne. Çfarë kompleksi inferioriteti!

Ashtu përfundojnë në regjistrat e albanologëve edhe studiues të huaj që nuk dinë shqip, pa folur pastaj për amatorët e fantaksur, etruskologët si Mayani e Vlora-Falaschi, pellazgologët, gjithfarë ambasadorësh e konsujsh të ngeshëm, gjahtarët e thesareve (i kujtohet kujt konsulli francez Degrand që u dha dërrmën varrezave në Koman?), spekulatorët, qylaxhinjtë, qelepirxhinjtë dhe parazitët, njerëz që nginjen me dreka dhe darka, me të ngrëna e të pira, duke mburrur “shqiptarët”; pa folur për trafikantët dhe agjentët e shërbimeve të huaja.

E gjitha kjo, me shpresën që albanologu i huaj të luftojë për ne, të na dalë zot, të “përleshet” në konferencat ndërkombëtare, të mbrojë “interesat” e shqiptarëve, ta bëjë gjestin e shqiponjës me duar dhe të thotë, një herë në tre minuta, “gjaku ynë i shprishur” dhe të pranojë hareshëm dekoratat që ia ngulin në gjoks politikanët, në kërkim të legjitimimit kyltyror! Por sa u vlen lëkura vërtet, këtyre albanologëve të panumërt?” – pyet Vehbiu në shkrimin që mund të lexohet i plotë duke klikuar KËTU

Gazeta Dita