Muzeu i Artit Mesjetar: – Ikona “Sinodi i Parë Ekumenik”, dëshmon talentin e ateliesë Zografi

20 QERSHOR 2020

Muzeu i Artit Mesjetar shprehet se ikona “Sinodi i Parë Ekumenik” ka qenë pjesë e ikonostasit të Kishës së Mitropolisë dhe është pikturuar në atelienë e vëllezërve Zografi. Muzeu pohon se skena është shumë komplekse dhe përbëhet nga shumë figura. “Në pjesën e sipërme prezantohet Trinia e Shenjtë në miniaturë midis reve, ku Krishti paraqitet duke mbajtur një kryq në njërën dorë dhe me tjetrën prek sferën e botës. Para Krishtit paraqitet i ulur Ati i Shenjtë me skeptër duke bekuar Krishtin. Në këtë ikonë duket qartë një përpjekje e piktorit për të krijuar një perspektivë në skenë sa më të thellë. Arkitektura, por edhe turma e njerëzve në të dyja anët e Kostandinit të Madh është vendosur në atë mënyrë që të japë perspektivën. Kostandini i Madh është dhe personazhi kryesor i skenës, i cili ndodhet në qendër të kompozimit. Ai është vendosur mbi fron duke shtypur Arosin, i cili ishte edhe oponenti kryesor i Sinodit të Parë Ekumenik”, thuhet në materialin e publikuar nga Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë. Materiali i publikuar shpjegon se Kostandini i madh është duke mbajtur një elitar me fjalën e shenjtë në njërën dorë dhe në tjetrën mban skeptrin. “Veshjet e tij janë shumë të zbukuruara me detaje dhe elementë mbretërorë, ndërsa në kokë mban kurorën mbretërore. Në anën e djathtë të figurës kryesore janë paraqitur gjithë dishepujt, të cilët tregojnë kuriozitet për fjalën e shenjtë të shkruar në elitarin e Konstandinit të Madh, kurse nga ana e djathtë e figurës kryesore prezantohen gjithë baballarët e kishës.

Ikona është shumë e pasur në detaje dhe kjo tregon talentin e madh që dispononte atelieja Zografi. Duke qenë se ikona shpreh një nga çastet kryesore dhe më të rëndësishme të Kishës Ortodokse, mund të themi se është parë me shumë përparësi nga piktori. Ikona tregon vitin 1771 si vit realizimi dhe nënshkrimin e piktorit”, sqaron më tej materiali i publikuar nga Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, ku ikona shoqërohet me foto. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili, brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. E vjetra dhe e reja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme mes një harmonie ngjyrash. Pikërisht ky, muze ruan thesaret më të shenjta e të vjetra të cilat kanë mbijetuar e kaluar shumë pengesa për të arritur në vendin ku gjenden sot.

Gazeta Sot