Mustafa Arapi: – Na mungon një muze kombëtar i etnografisë, shteti të mendojë për ndërtimin e tij

30 PRILL 2020

Muzeu kombëtar i etnografisë mungon në vendin tonë. Edhe pse është folur për një pavijon, që do të shërbente si muze, deri tani asgjë nuk është prezantuar nga institucionet. Emra të njohur të artit dhe studiues të ndryshëm herë pas here janë shprehur se në Tiranë duhet një muze etnografik kombëtar, duke kërkuar nga Ministria e Kulturës të ketë vëmendje për këtë problem. Mustafa Arapi, piktor, restaurator dhe studiues i veprave të artit shprehet se është përgjegjësi e institucioneve, që deri tani mungon një muze i tillë kombëtar për etnografinë. Për piktorin Arapi edhe zërat që janë shprehur se ndërtesa e Toptanëve mund të shërbejë si muze etnografik, nuk mund të jetë për një muze kombëtar etnografik. Piktori dhe studiuesi Mustafa Arapi shprehet se Shqipëria nuk ka një muze etnografik dhe për këtë institucionet nuk kanë pasur vëmendje. “Flasin njerëz që japin mendime kot, më tepër flasin nga pasioni dhe dashamirësia që këtu të bëhet një muze. Disa persona thonë që shtëpi e Toptanëve të bëhet muze, por unë i kam kundërshtuar. Për mua shtëpia e Toptanëve nuk është për muze nacional etnografik. Ajo mund të jetë si muze etnografik i Tiranës, por Shqipëria nuk ka muze siç e ka e gjithë bota”, pohon piktori dhe restauratori Arapi. Sipas tij, në vendin tonë janë me qindra objekte që i takojnë etnografisë, dhe që duhet të jetë një godinë me të gjitha kushtet për këtë pasuri të kulturës sonë. Sipas piktorit edhe pavijoni në Muzeun Historik Kombëtar nuk luan dot rolin e një muzeu të tillë kombëtar. “Është një katundari që të mendohet se mund bëhet banesa e Toptanëve muze nacional etnografik. Ne kemi me qindra objekte etnografike, që janë jashtëzakonisht të bukura dhe se përballon dot ajo banesë, sepse është e vogël për muze kombëtar. Është njëlloj si muzeu etnografik që është në Krujë, që është muze lokal për qytet. Kanë bërë tentativa duke thënë që ne e kemi muze etnografik në Muzeun Historik Kombëtar. Por ai muze është Muzeu Historik, nuk mund të jetë muze etnografik”, vijon Arapi.

Ndërtesa e muzeut

Piktori dhe restauratori Mustafa Arapi thotë se në vendin tonë duhet të mendohet për një muze kombëtar etnografik, që të ketë edhe sallë restaurimi të objekteve. Duke folur për ndërtesën e Toptanëve, piktori dhe studiuesi thotë se është e degraduar. “Për muzeun kombëtar etnografik duhet një ndërtesë e vetme dhe e madhe, jo banesa e Toptanëve sepse është e vogël. E dyta, është e degraduar si ndërtesë, është prej druri, ndërtesë e vjetër ka rrezik. Muzeu etnografik do prapavijë, do salla restaurimi, do salla të fondit, do dezinfektimin, publikimin, studiues, etj”, vijon mes të tjerave piktori Mustafa Arapi, një nga zërat në mbrojtje të trashëgimisë dhe vlerave të kulturës sonë. Për një muze kombëtar etnografik, piktori dhe restauratori thotë se duhet të mblidhen historianë, etnografë dhe studiues, një komision që të merret me këtë projekt. “Muzeu kombëtar i etnografisë është një sipërmarrje e madhe dhe duhet patjetër nga shteti, Ministria e Kulturës. Nuk bëhet një muze se thotë njëri apo tjetri. Për muzeun bëhet një strategji, mblidhen historianë, artistë, etnografë që duhet të jenë të parët si dhe të tjerë dhe bëhet një komision i madh që duhet të aprovojë. Ato duhen menjëherë të merren seriozisht, sepse po degradojnë fondet etnografike. Janë nëpër depo kostumet. Tirana nuk ka as muze lokal etnografik, por as një kombëtar nuk kemi”, vijon ai. Në reagimin e tij piktori pohon se ndërtesa që kanë qenë të rëndësishme në Tiranë, që mund të ishin në shërbim të artit dhe kulturës janë shndërruar për një tjetër funksion. “Ndërtesa e Lidhjes së Shkrimtarëve mund të ishte shfrytëzuar mirë si muze etnografik, por sot shërben për një funksion tjetër. Në vend që të bëhen disa ndërtesa e mira ti shërbejnë pasurisë kombëtare shteti bën disa zyra? Aty ku është Ministria e Kulturës sot në Kinostudio, aty mund të ishte shumë bukur një muze i kinematografisë shqiptare. Për 30 zyrtarë aty që e ndritën kulturën ashtë bërë gjithë ajo ndërtesë e madhe, që rri me disa zyrtarë”, pohon Arapi. Për studiuesit pasuria etnografike shqiptare është e jashtëzakonshme, ndaj kjo pasuri ka nevojë të ruhet e transmetohet ndër breza.

Gazeta Sot