Monologu i Krastës në A-Show/ ‘Unë them më mirë pa kryeministër, sesa pa teatër ….’

12/05/2020

Nga Adi Krasta

Në një Shqipëri të plagosur të post tërmetit, në një Shqipëri që nuk po del dot nga shtetrrethimet e njëpasnjëshme dhe gjendjet e jashtëzakonshme, në një Shqipëri me ekonomi të kërcënuar në kulmin e pandemisë, me borxhe e kredi, me papunësi e varfëri, na hidhet sërish për konsum publik e mediatik, me deklamime kërcënuese e gjuhë urrejtjeje, vendimi i prishjes së teatrit duke dashur të na bindin se ky është preokupimi madhor i qeverisjes së kësaj Shqipërie në këto kohë, dhe kjo është e do jetë gjuha. Gjuha e forcës. Si ajo e kryetarit të bashkisë në daljen e fundit.

Tirana vet ka të tjera drama. Ujë i munguar e i shtrenjtuar. Taksa të rritura. Landfillet dhe dramat shoqëruese. Transparence e munguar. Keqperdorim fondesh për trafik interesash e propagandë. Betonizimi, kullat..

Vendimi i Kryeministrit, për kalimin e vendimarrjes tek bashkia, shkrepi një tjetër fizionomi komunikimi të kryetarit të bashkisë si për të na bindur që këtë herë e kanë me gjithë mend.  A nuk i thonë kryetarit se sharja me stërkala, pështymë është shenjë e pasigurisë?  Është si një mërmërimë me bisht ndër shale, por me inatin që përndrit ngjyrën e kuqe të syve që urrejnë.

Ndjej se duhet t’i trembemi urrejtjes së njeriut me pushtet. Ai/ata nuk e masin dot mundësinë dhe pamundësinë e tyre. Mund te jetë Prishja e Teatrit Kombëtar kosto e bërjes së kryetarit  të bashkise Kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë. Unë them më mirë pa kryeministër, sesa pa teatër.

Ekziston një bindje se Kryetari në lidhje me teatrin është një mashe. Unë as nuk i besoj qëllimit të kalimit të truallit nga qeveria tek bashkia. Duket si nje stunt marrëdhëniesh publike që fsheh një ngjarje tjetër me përmasa të mëdha që përgatitet të zërë qendrën e skenës shqiptare. Tingëllon patetike që kryeministri në detyrë t’ i japë hapur kryetarit të bashkisë teatrin për të pare sa i mban shpina.

Të gjithë e dinë se duhet tjetër material trimërie për t’i shkuar teatrit drejt.

Të gjithë e dimë se pushtetarët tanë të dikurshëm e aktuale, teatrit, sikurse Tiranës, sikurse Shqipërisë i shkojne tinëz, kur bie nata.

Prandaj nuk i tremben tiranasit stërkalave të pështymes. I tremben territ të natës. Atyre që mund të mësyjnë kundër një ndërtesë që është bërë kauzë.

Djaloshi kavalkanti nuk është i prirur të besojë mbrojtësit, specialistët, dashuruesit e kujtesës historike, qytetarët. Të besojë, kuptojë, ndjejë e ka të pamundur. Nuk e ka bërë kurrë. Nuk mundet.

Ka zgjedhur të jetë  përfaqësuesi i paprinciptë i marrjes së kurorës së pushtetit, duke lëpirë lart e duke skërmitur nofullat poshtë.

E shoh me kurreshtje nervozizmin thonjngrënës. Më bën të qesh nervozizmi i shpenzueshëm i tij. Si qytetar dhe votues dyshoj fort në karaktere të tillë drejtuesish. Nuk gjej aty asnjë thërrime prej  lideri. Koha tregon gjithmonë se një lider kulisash dështon. Dështon ai që blen pëlqimin. Ai të cilit i shpërthen prepotenca mu në mes të buzëqeshjes.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka një qëllim të vetëm, t’i marre Partine Socialistëve. Këtë e ka personale e të përqëndruar. Vetëm se për të rrënuar përfundimisht Partinë Socialiste, ka vendosur të rrënojë dhe Tiranën.