22 Janar 2026

Britania ka shënuar një vit rekord për zbulimet arkeologjike dhe thesaret gjatë vitit 2024, ku mes gjetjeve më të rëndësishme janë një thesar monedhash i lidhur me mbretin Harold II, një pjesë e rrallë romake e një mjeti transporti dhe disa objekte të çmuara të hershme mesjetare.

Sipas të dhënave të publikuara nga Muzeu Britanik, gjatë vitit të kaluar u regjistrua numri më i lartë i gjetjeve ndonjëherë brenda një viti, kryesisht falë rritjes së interesit për kërkimin me detektorë metalesh. Plot 94% e gjetjeve janë raportuar nga publiku, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme.

Mes zbulimeve më tërheqëse është një thesar prej 179 monedhash argjendi, që besohet se janë varrosur në prag të betejës së vitit 1066. Monedhat i përkasin periudhës së sundimit të shkurtër të Haroldit II dhe mendohet se janë fshehur rreth kohës së pushtimit norvegjez të Anglisë nga mbreti Harald Hardrada, i cili arriti të pushtonte përkohësisht qytetin e York-ut.

Një tjetër gjetje e rrallë është një pjesë e plotë prej aliazh bakri e një mjeti romak, e datuar nga shekulli I deri në shekullin II pas Krishtit, e zbuluar në Essex. Sipas ekspertëve të muzeut, objekte të tilla janë të rralla në Britani dhe kanë qenë pjesë e karrocave ose qerreve të kohës romake.

Po ashtu, në Wiltshire janë zbuluar disa objekte të çmuara të hershme mesjetare, përfshirë unaza ari dhe një element dekorativ në formë koke zogu, i punuar me ar, argjend, granat dhe fildish elefanti. Objektet u gjetën shumë pranë njëra-tjetrës dhe mund të jenë pjesë e një varrimi elitar.

Ekspertët theksojnë se këto zbulime hedhin dritë mbi jetën e elitave dhe lidhjet ndërkombëtare në Britaninë e hershme mesjetare. Një gërmim i mëtejshëm pritet të zhvillohet nga Universiteti i Cardiff-it në bashkëpunim me Skemën e Antikiteteve të Lëvizshme (PAS).

Në total, gjatë vitit 2024 u regjistruan 79 mijë e 616 gjetje arkeologjike, ndërsa 1 mijë e 540 raste thesari u raportuan në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut, duke shënuar një rritje të dukshme krahasuar me vitin 2023.

Sipas Ligjit për Thesaret të vitit 1996, si thesar konsiderohet çdo objekt metalik, përveç monedhave, që përmban të paktën 10% metal të çmuar dhe është më shumë se 300 vjet i vjetër.

Zyrtarët e Muzeut Britanik vlerësojnë rolin e publikut në këto zbulime. “Kontributi i qytetarëve është thelbësor për dokumentimin dhe ruajtjen e historisë sonë”, u shprehën ata, duke shtuar se raportimi i përgjegjshëm i gjetjeve i shërben interesit publik.