Monedha të mbretit Harold dhe artefakte romake, thesaret më të bujshme të Britanisë në 2024

22 Janar 2026
Britania ka shënuar një vit rekord për zbulimet arkeologjike dhe thesaret gjatë vitit 2024, ku mes gjetjeve më të rëndësishme janë një thesar monedhash i lidhur me mbretin Harold II, një pjesë e rrallë romake e një mjeti transporti dhe disa objekte të çmuara të hershme mesjetare.
Sipas të dhënave të publikuara nga Muzeu Britanik, gjatë vitit të kaluar u regjistrua numri më i lartë i gjetjeve ndonjëherë brenda një viti, kryesisht falë rritjes së interesit për kërkimin me detektorë metalesh. Plot 94% e gjetjeve janë raportuar nga publiku, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme.
Mes zbulimeve më tërheqëse është një thesar prej 179 monedhash argjendi, që besohet se janë varrosur në prag të betejës së vitit 1066. Monedhat i përkasin periudhës së sundimit të shkurtër të Haroldit II dhe mendohet se janë fshehur rreth kohës së pushtimit norvegjez të Anglisë nga mbreti Harald Hardrada, i cili arriti të pushtonte përkohësisht qytetin e York-ut.
Një tjetër gjetje e rrallë është një pjesë e plotë prej aliazh bakri e një mjeti romak, e datuar nga shekulli I deri në shekullin II pas Krishtit, e zbuluar në Essex. Sipas ekspertëve të muzeut, objekte të tilla janë të rralla në Britani dhe kanë qenë pjesë e karrocave ose qerreve të kohës romake.
Po ashtu, në Wiltshire janë zbuluar disa objekte të çmuara të hershme mesjetare, përfshirë unaza ari dhe një element dekorativ në formë koke zogu, i punuar me ar, argjend, granat dhe fildish elefanti. Objektet u gjetën shumë pranë njëra-tjetrës dhe mund të jenë pjesë e një varrimi elitar.
Ekspertët theksojnë se këto zbulime hedhin dritë mbi jetën e elitave dhe lidhjet ndërkombëtare në Britaninë e hershme mesjetare. Një gërmim i mëtejshëm pritet të zhvillohet nga Universiteti i Cardiff-it në bashkëpunim me Skemën e Antikiteteve të Lëvizshme (PAS).
Në total, gjatë vitit 2024 u regjistruan 79 mijë e 616 gjetje arkeologjike, ndërsa 1 mijë e 540 raste thesari u raportuan në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut, duke shënuar një rritje të dukshme krahasuar me vitin 2023.
Sipas Ligjit për Thesaret të vitit 1996, si thesar konsiderohet çdo objekt metalik, përveç monedhave, që përmban të paktën 10% metal të çmuar dhe është më shumë se 300 vjet i vjetër.
Zyrtarët e Muzeut Britanik vlerësojnë rolin e publikut në këto zbulime. “Kontributi i qytetarëve është thelbësor për dokumentimin dhe ruajtjen e historisë sonë”, u shprehën ata, duke shtuar se raportimi i përgjegjshëm i gjetjeve i shërben interesit publik.
