9 Dhjetor 2022

Deputetja e PD Albana Vokshi është shpallur e pafajshme ditën e sotme ndaj padisë që i ishte bërë nga ministrja e Arsimit Evis Kushi. Në një deklaratë të shkurtër për mediat ajo u shpreh se Kushi duhet të japë dorëheqjen.

“E prisja, gjykata sot foli dhe më shpalli të pafajshme duke rrëzuar padinë e Evis Kushin. Ky është sinjali i parë i mirë që vjen nga drejtësia. Ka ardhur koha që drejtësia të përballen me shantazhet dhe dhunën që ushtron pushteti.

Evis Kushi të japë dorëheqjen sot edhe pas këtij vendimi, ka ardhur koha që shqiptarët të marrin në duart e tyre fatet e tyre dhe të fëmijëve. Shkatërrimi i arsimit nuk ka [pasoja vetëm për të sotmen, por për të ardhmen, ndaj ka ardhur dita që të gjithë të bashkohen për të ndalur këtë qeveri të korruptuar, antishqiptare. Ftoj çdo prind, student e të ri, që të bashkohen me përpjekjet tona”.

Vokshi u padit nga ministrja e Arsimit Evis Kushi, për tezat e provimit të maturantëve të cilat dolën para provimeve, duke e cilësuar si shpifje.

Ballkanweb